The Sun: Blair rrezikon përmbytje me emigrantë duke ndihmuar Shqipërinë

14:17 | 14 Korrik 2014

Foto e ballinës së The Sun

Të dielën, gazeta më e madhe në Britaninë e Madhe, “The Sun”, publikoi një shkrim me titull “Pse Blair rrezikon një përmbytje me emigrantë duke ndihmuar Shqipërinë që të bashkohet me BE-në?” 

Mediat tabloide në Angli kanë raportuar vazhdimisht për rrezikun që i vjen vendit të tyre nga përparimi i Shqipërisë drejt BE.

Por ky shkrim vjen pas një blog-u të ish- shefit të komunikimit të Blair, Alastair Campbell, që shkruan se pas këtyre shkrimeve kundër Blair qëndron pronari i gazetës, Rupert Murdoch.

Blair dhe Murdoch kanë qenë miq të ngushtë dikur, ndërsa tani flitet se janë armiqësuar.

Mediat rozë kanë shkruar edhe për mundësinë që Blair të kishte një aferë me gruan e Murdoch, me të cilën është në proces divorci.

Gazetari Roy Greenslade, i “The Guardian”, duke komentuar këtë përplasje mes Tony Blair dhe Murdoch, shkruan se nuk qëndron fakti që Blair po kritikohet për ndihmën që i jep Shqipërisë, për shkak se vetëm një deputet obskur konservator ka shprehur njëfarë rezerve.

“Tani, që të jem i qartë, nuk kam marrë sëpatën politike për të bërë kërdinë. E kam humbur të gjithë respektin për Blair vite më parë. Por le ta kritikojmë atë për krimet e vërteta që ka bërë dhe jo sepse po ndihmon në ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme në një vend të varfër që ka vuajtur kaq shumë”, shkruan ai.