The Guardian demanton vetën lidhur me tekstin për Azem Sylën
Gazeta britanike The Guardian ka demantuar vetën lidhur me tekstin për hetimet ndaj disa zyrtarëve të Kosovës.

Lajme
Kjo gazetë ka publikuar tekstin korrigjues për artikullin në të cilin thoshte se Azem Syla, që po hetohet nga EULEX-i, është familjar i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Në një artikull (Ekipi i BE-së në Kosovë nis hetimet për një vrasës me pagesë, 8 nëntor, faqja 29) thuhej se një hetim ka nisur për lidhje të supozuara të një vrasësi me pagesë të dënuar dhe ish-ministrit të mbrojtjes së Kosovës, Azem Syla, që e përshkruam si dajën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ky përshkrim ishte i pasaktë.
Syla ka qenë pjesë e rrethit të brendshëm në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në Partinë Demokratike të Kosovës, por ai nuk është daja i tij. Gabimi ka ndodhur për shkak se Syla përshkruhet si daja i Thaçit në 4 libra të ndryshëm për Kosovën, të botuar së fundi”, ka shkruar Guardian, raporton koha.
Guardian bën korrigjime të tilla çdo ditë, por nuk i ka kërkuar falje Thaçit.
Ky i fundit e kishte kërcënuar me padi kur u publikua dosja e Dick Martyt, gjë që nuk e kishte bërë kurrë.