Thaqi: Rezultatet e PISA-s tregojnë gjendjen e mjerueshme në arsimin kosovar

Eksperti i arsimit, Jusuf Thaqi, duke komentuar rezultatet e testit "PISA", flet për një gjendje nën nivelin e dëshiruar të arsimit në Kosovë.

Lajme

06/12/2016 15:13

“Ky është një vlerësim ndërkombëtar që mundëson krahasimin edhe me vendet dhe ekonomitë tjera që kanë marrë pjesë në këtë vlerësim. Këtu e shohim ‘lakuriq’ gjendjen e mjerueshme të arsimit në Kosovë jo vetëm për vetveten, por edhe në krahasim me të tjerët”, thekson Thaçi.

Ai shton se përgjegjësit e arsimit në Kosovë nuk janë të vetëdijshëm për gjendjen e mjerueshme të arsimit në vend.

Në botën moderne tregu është global, thotë Thaqi, që sipas tij i bie ose duhet të jesh i krahasueshëm me vendet tjera ose nuk do të mund t’i mbijetosh botës moderne.

“Veçmas vetëdijesimit, institucionet e Kosovës duhet që të caktojnë si kryeprioritet arsimin në kuptimin e mirëfilltë dhe praktikë të fjalës jo vetëm me deklarata siç ka ndodhur që nga paslufta e deri më tani. Duhet të investohet pakursyeshëm në përmirësimin e arsimit, praktikisht në sistemin e arsimit, pasi që konsideroj që ne nuk kemi as sistem të arsimit”, thekson Thaqi.

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, cilësinë në arsim e ka shpallur si prioritet.

Por, buxheti prej 270 milionë euro i ndarë për sektorin e arsimit për vitin 2016, ishte konsideruar i pamjaftueshëm për të arritur reforma, të cilat do të ndikonin në rritjen e cilësisë.