Thaçi trefishon numrin e aktiviteteve

Kryeministri Hashim Thaçi ka trefishuar numrin e aktiviteteve në mars e prill të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Lajme

24/04/2014 20:38

Këto aktivitete kryesisht janë vizita bizneseve dhe institucioneve që zakonisht i bën në kohë të fushatave parazgjedhore, transmeton KTV.

Por, premtimet e tij kalojnë miliardat. Për ekspertët e ekonomisë ato do të mbesin vetëm premtime të një fushate zyrtare.

Në muajt prill e maj të vitit të kaluar, Kryeministri kishte pasur 25 aktivitete të publikuara në ueb faqen e Kryeministrisë, pa përfshirë këtu mbledhjet e Qeverisë dhe deklaratat e fjalimet e tij për raste të caktuara.

Por, në muajin maj e prill të këtij viti, numri i aktiviteteve të ngjashme ka shkuar më shumë se 60-të. Dhe, në shumicën e këtyre vendeve nuk ka hezituar të premtojë investime e fonde për zhvillim që shkojnë në miliarda euro.

Për nga lartësia, i pari është Fondi për punësim prej 1 miliardë e gjysmë eurosh, gati sa edhe buxheti i këtij viti.

Agron Demi, nga Instituti i Studimeve të Avancuara GAP, thotë se këto premtime janë më shumë e ekipit të tij për marrëdhënie me publikun, sesa të bazuara në vlerësime ekspertësh.

Demi thotë se instrumentin e vetëm që e ka pasur deri tash në dispozicion, buxhetin e vendit, kryeministri Hashim Thaçi e ka keqpërdorur.

Përveç fondit për punësim, kryeministri ka premtuar në mes tjerash edhe 500 milionë euro për investime në bujqësi, dhe 50 mijë vende të reja pune në këtë sektor, transmeton KTV.