Thaçi takon biznesmenët kosovarë në Shqipëri
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi ka vazhduar vizitën zyrtare në Shqipëri.
Lajme
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë, Ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me biznesmen kosovarë, të cilët tashmë eksportojnë mallin e tyre në Shqipëri.
Thaçi është interesuar për nevojat e afaristëve për të ngritur kualitetin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në sferën e ekonomisë.
Ai ka shprehur gatishmërinë e MPJ-së për të mbështetur afaristët kosovarë në promovimin e produkteve të tyre në Shqipëri dhe në shtetet tjera të rajonit.
“Gjatë takimit që pata me biznesmenë kosovarë në Shqipëri u tregova se do përpiqem ndërtoj një partneritet të mirëfilltë me sipërmarrësit privatë në mënyrë që misionet tona diplomatike të shndërrohen njëherazi në institucione të marketingut të ekonomisë kosovare dhe të produkteve Made in Kosova”, ka thënë Thaçi.
Ministri Thaçi ka paralajmëruar se do të ketë një angazhim maksimal në lehtësirat e qarkullimit ndërkombëtarë të mallrave kosovare.
“Ne gjithashtu do të angazhohemi për krijimin sa më shumë lehtësirave të udhëtimit të biznesmenëve dhe të qarkullimit ndërkombëtar të mallrave dhe kapitaleve kosovare”.
Sipas tij, do të ketë një dinamizmi të punës së Ambasadave të Republikës së Kosovës në botë, për të promovuar produktet kosovare dhe për krijimin e komunikimit me biznese ndërkombëtare.
“Prej ambasadave tona do të ndërmerren veprimtari të shumëfishta në vendet pritëse për të përmirësuar imazhin dhe kredibilitetin jo vetëm për Kosovën si shtet por dhe për produktet e eksporteve të Kosovës si dhe për Kosovën si destinacion investimesh dhe turistësh”, ka paralajmëruar Thaçi, njofton Ministria e Punëve të Jashtme.