Thaçi: Sot ndër ditët më të veçanta prej sa jam në politikë (Foto)

Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, sot thotë të ketë qenë ndër ditët më të veçanta të jetës së tij politike. Ai sot bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, është shpallur qytetar nderi i qytetit shqiptar në Mal të Zi, Ulqinit.

Lajme

04/04/2015 17:25

“Sot është një ditë e veçantë për mua, ndër më të veçantat prej se jam në politikë – e në politikë jam shumë gjatë, aq sa kanë filluar të më thinjën flokët pakëz.

Ky nderim i juaji e bën këtë ditë të veçantë për mua sepse të jesh qytetar nderi i margaritarit mesdhetar të quajtur Ulqin në këtë ceremoni të paparë më herët më sjell emocione të thella dhe zgjojnë çdo kosovari kujtime të shumta, ka thënë Thaçi, në fjalimin e tij me rastin e kësaj ceremonie.

a

Ai e ka cilësuar Ulqinin si urë të popujve.

“Ulqini është një urë. Ulqini shtrihet mbi një lum të famshëm Bunën, por është një urë e popujve dhe njerëzve. Kosova e njeh Malin e Zi, por edhe Mali i Zi e njeh Kosovën nëpërmjet Ulqinit. Pak ka fëmijë kosovarë që nuk janë larë në plazhet e Ulqinit. Pak ka pleq kosovarë që nuk janë shëruar me rërën e Ulqinit. Dimri po përfundon ngadalë me shkundjen e fundit të plakave dhe kur fillon vera, në Kosovë fillojnë planet të shkojmë në Ulqin. E vërtetë është se Rruga e Kombit e ka hapur Shqipërinë si kurrë më herët për turistët kosovarë, por të jeni të bindur që shumë prej atyre që kalojnë verën në Durrës, Sarandë apo Shëngjin, kalojnë së paku edhe disa ditë në Ulqin”.

a

Thaçi ka kujtuar edhe numrin me madh të të rinjve nga Ulqini që vijnë në Prishtinë për studime.

“Historia e Kosovës është pandashëm e ngjizur me Ulqinin dhe ulqinakët. Kur ne hapëm Universitetin e Prishtinës, u hap edhe një dritare e emancipimit për ulqinakët. Në konviktet tona, në menzat tona, në shoqëritë tona u përfshinë edhe ulqinakët. U krijuan lidhjet e dashurisë, martesat, shoqëritë e pandashme që e bëjnë Ulqinin po aq Kosovë sa edhe Peja apo Prizreni”.

“Fëmijët tanë në shkolla fillore janë rritur me vargjet e Hajro Ulqinakut. Në nëntëdhjetat e tmerrshme, kur portat e botës u mbyllën dhe kur terrori i paparë u përhap tek ne në Kosovë, Ulqini ishte oaza e ngushëllimit, ku së paku disa javë të verës mund të kujtonim se ka botë të bukur përtej realitetit të zymtë. Ju, më të dashurit ulqinakë, na dhatë shpresë dhe dashuri së paku disa javë të verës, çdo verë”.

Pritja që i ka bërë Mali i Zi kosovarëve gjatë luftës së vitit 1999, sipas Thaçit nuk do të harrohet kurrë.

“Dashuria më e madhe, dashuri e pakrahasueshme u dha mu në verën e 1999, 16 vite më herët. Atëherë pranuat qindra mijëra kosovarë që ikën nga gjenocidi dhe gjetën shpëtim tek ju. Më lejoni të ju them se kurrë, kurrën e kurrës ne nuk do ta harrojmë këtë borxh që e kemi ndaj Ulqinit dhe Malit të Zi. President Vujanovic, Kryeminister Gjukanovic dhe Kryetar Gjeka – deri sa ka të gjallë kosovarë, ne nuk do ta harrojmë mikpritësinë dhe mbrojtjen që ju e bëtë për refugjatët kosovarë të verës së 1999. Ne nuk do ta harrojmë bukën dhe sofrën që e shtruat në verë e kobshme dhe ajo pike e historisë suaj do të shënohet me shkronja të arta. Ju shpëtuat shumë kosovarë dhe Kosova është e lirë sot edhe falë Ulqinit dhe Malit të Zi. Në emër të Republikës së Kosovës, në emër të popullit të Kosovës – edhe një herë faleminderit për bujarinë e juaj të pashoqë, faleminderit Malit të Zi dhe Ulqinit që në kohërat më të vështira u dëshmuan si miq të pashoq”.

Por ai nuk ka lënë pa përmendur edhe votën shqiptare pro pavarësisë së Malit të Zi nga Serbia.

“Edhe Mali i Zi kur filloi betejën për pavarësi, ne ishim fare pranë dhe shumë përkrahës. Kosovarët e Ulqinit dhe ulqinakët e Kosovës kanë votuar jo 50%, jo 70%, jo 90% por 100% për Republikën sovrane të Malit të Zi, të bazuar në historinë e lavdishme të popullit malazias dhe rrolin e veçantë në këtë histori të shqiptarëve të Malit të Zi. Pavarësia e Kosovës dhe Pavarësia e Malit të Zi ishin procese simotra, një betejë e përbashkët për liri dhe barazi dhe lindja e shteteve tona do të shënohet në një kapitull të vetëm në historinë moderne të Europës. Prandaj është ky nderim sot, të jem një qytetar i Ulqinit së bashku me Edin, një nder i veçantë”, ka thënë Thaçi ndër të tjera.

a

a