Thaçi: Sllovenia partnere e rëndësishme ekonomike e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Slloveni, ka marrë pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik Kosovë-Slloveni, të organizuar nga dhomat ekonomike të Sllovenisë dhe të Kosovës.

Lajme

07/06/2016 14:35

Forumi është hapur nga presidenti Thaçi dhe homologu i tij slloven, Borut Pahor.

Presidenti Thaçi u shpreh se Sllovenia, si investitorja e dytë më e madhe në Kosovë, është partnere e rëndësishme ekonomike e Kosovës.

“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe inkuadrimi në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) përbëjnë një konfirmimin të radhës të përkushtimit të Kosovës në jetësimin e reformave të thella në ekonomi, politikë dhe sundim të ligjit”, ka thënë presidenti Thaçi para të pranishmëve, thuhet në komunikatën e Presidencës.

I pari i vendit theksoi se këto të arritura të Kosovës reflektojnë një besim më të madh të bizneseve për të investuar në Kosovë dhe për potencialet e Kosovës për zhvillim ekonomik.

Nga ana tjetër, homologu i presidentit Thaçi, Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, tha Sllovenia ka përvojë të çmueshme në zhvillimin ekonomik të vendit dhe se shtetet e tjera duhet të marrin shembull nga shteti slloven.

Ndërsa, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, theksoi se diskutimet janë posaçërisht të përqendruara në çështjet që kanë të bëjnë me Evropën, ekonominë, mjedisin, arsimin dhe përvojën.

Të pranishëm në këtë forum ishin edhe kryetari i komunës së Shtimes, ai i Rahovecit, Istogut, Lipjanit dhe Kastriotit, si dhe përfaqësues të tjerë të Odës Ekonomike të Kosovës dhe afaristë nga Kosova dhe Sllovenia.

Ndërkaq, dje, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur nga krerët e shtetit slloven, homologu i tij, Borut Pahor, kryeministri Miro Cerar, si dhe kryebashkiaku i Lubjanës, Zoran Jankoviq.