Thaçi porosit Putinin: Mos e përdor Kosovën për Krimenë

Në një intervistë për Reuters, Kryeministri Hashim Thaçi hedh poshtë krahasimet ndërmjet rasteve të Krimesë dhe Kosovës. Thaçi thotë se Kosova asnjëherë nuk ka ëkrkuar që ta braktisë një shtet dhe t’i bashkohet një shteti tjetër.

Lajme

27/03/2014 15:33

Rusia duhet ta ndalë përdorimin e rastit të pavarësisë së Kosovës për ta justifikuar inkursionin e vet në Krimea sepse dy rastet nuk mund të krahasohen, tha Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi të enjten.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka kritikuar shtetet perëndimore për atë që e ka quajtur hipokrizi, duke thënë se ata kanë mbështetur të drejtën e Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi nga Serbia por tani po u mohojnë krimeasve të drejtën për ta braktisur Ukrainën.

Thaçi, i cili udhëhoqi njësitë e shqiptarëve në luftën guerile të viteve 1998-1999 kundër trupave të Beogradit pas shpërbërjes së Jugosllavisë, tha se Kosova, e cila u pavarësua në vitin 2008, nuk ka ngjashmëri me ngjarjet në Ukrainë.

Serbia, një shtet me shumicë ortodokse dhe me lidhje historike me Rusinë, humbi kontrollin ndaj Kosovës kur NATO langoi sulmet ajrore për t’i ndalur mizoritë serbe dhe “pastrimin etnik” nën regjimin e Slobodan Milosevicit.

Fushata 78 ditëshe e bombardimeve, që filloi në mars të vitit 1999, ka qenë një burim i zemërimit për Rusinë dhe një shembull i asaj që Putin e quan përdorim i shpeshtë i forcës vdekjeprurëse nga Washingtoni nën pretekstin e shqetësimit për të drejtat e njeriut.

“Në asnjë rrethanë nuk mundet që rasti i Kosovës të krahasohet me rastin e Krimesë. Kosova është një rast unik. Komuniteti ndërkombëtarë ka ndërhyrë pasi që u bo gjenocidi nga Serbia”, tha Thaçi në një intervistë për Reuters.

“Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar që ta braktisim një shtet për t’iu bashkuar një tjetri”.

Ai tha se “qasja për të ndryshuar kufijtë dhe aneksimi i territoreve nga një shtet tjetër është një qasje e gabuar e cila mund të ketë pasoja për të gjithë botën”.

Lufta la të vdekur më shumë se 12 mijë njerëz, shumica e tyre shqiptarë etnik, të cilët janë shumicë në Kosovë. Më shumë se 800 mijë refugjatë shqiptarë u detyruan që të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Pavarësia e Kosovës deri më tani është njohur nga 107 shtete. Rusia ka refuzuar që ta njoh atë.

Moska ka qenë e përfshirë në të gjitha përpjekjet diplomatike lidhur me Kosovën që prej vitit 1998 deri në vitin 2007, kur OKB-ja përmes pakos së Martti Ahtisarit propozoi pavarësinë për Kosovën. Që atëherë Rusia ka bllokuar të gjitha përpjekjet e Kosovës për t’u bashkuar në organizatat ndërkombëtare.

Ish lideri gueril, Thaçi shihet sot si fytyra pro-perëndimore e Kosovës, me mbështetjen e Washingtonit he shumicës së kryeqyteteve të Bashkimit Europian. Milosevic vdiq derisa ishte në qendrën e paraburgimit në vitin 2006, teksa po gjykohej për krime lufte.

Shteti i Kosovës, me popullsi prej 1.7 milionë banorësh, është njëra prej vendeve më të varfra në Europë me një nivel të lartë të krimit dhe korrupsionit, gjë që ka mbajtur larg investitorët e huaj.