Thaçi përkujton dëshmorin Agim Bajrami: Shquhej për guxim dhe shpirt luftarak

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka përkujtuar dëshmorin Agim Bajrami në 22-vjetorin e rënies heroike përballë okupatorit serb.

Lajme

10/08/2020 19:10

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Agim Bajrami ishte veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare dhe luftëtar i radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidenti ka thënë se se Agimin e kishte pasur mik të mirë.

“Si ish-epror i lartë i UÇK-së në zonën e Nerodimes dhe komandant i njësitit në Kaçanik, Agim Bajrami shquhej për guxim dhe shpirt luftarak. Ai ra heroikisht më 10 gusht 1998 në fshatin Gabrricë, së bashku me Xheladin Kurtajn dhe Besnik Beguncën, dy luftëtarë tjerë të paepur të lirisë, duke rezistuar deri sa mbetën pa municion. Agimin e kisha mik të mirë dhe më 7 mars të vitit 1998, së bashku me Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Shukri Bujën dhe bashkëluftëtarë tjerë, kishim kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar. Brigada 162 e Zonës Operative të Nerodimes, me krenari e barti emrin “Agim Bajrami” deri në përfundimin e luftës. Lavdi jetës dhe veprës së Agimit, Xheladinit dhe Besnikut për çlirimin e atdheut”, ka shkruar Thaçi. /Lajmi.net/