Thaçi: Për Trepçën do të vendosin institucionet e Kosovës

(E plotësuar) Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi tha se protestuesit nuk i duan minatorët dhe Trepçën më shumë se ai.

Lajme

27/01/2015 22:15

Thaçi në emisionin “Zona B” të Klan Kosovës tha se i njeh mirë minatorët e Trepçës, madje, me disa nga ta edhe kanë qenë shok lufte.

Ai garanton se për Ligjin e Trepçës do të vendosin edhe nënshkrimet e minatorëve.

“Siguroj minatorët se ata do ta nënshkruajnë Ligjin për Trepçën. Për minierat vendosin institucionet e Republikës së Kosovës, duke respektuar edhe vullnetin e minatorëve dhe Parlamentin e Kosovës”.

Duke folur për protestën e sotme, Thaçi tha se Policia e kosovës nuk ka marrë ndonjë qëndrim nga pushtetarët, as sot e as të shtunën.

“Policia është e të gjithëve, nuk është e Qeverisë. Policia nuk ka marrë ndonjë qëndrim nga pushtetarët as të shtunën e as sot. Policia vepron në bazë të situatës. Sa i përket përgjegjësive politike, dua të them se sot më së paku ka pasur çështje që janë thirrur në deklaratën e papërgjegjshme të një ministri”, ka thënë Thaçi.

Sipas kreut të PDK-së, tash nuk është momenti të fokusohemi në faj, por të fokusohemi se si të lëvizim përpara.

“Duhet të fokusohemi se si të funksionojmë si shtet dhe shtetin nuk e përbëjnë vetëm partitë në pushtet”, ka thënë Thaçi.

Andaj, Thaçi ka ftuar qytetarët që të investojmë në shtet dhe asnjë rrethanë të mos e shohim shtetin se kush është në qeveri të jemi kundër tij.

“Shteti ynë ka probleme, kanë ndodhur lëshime dhe dobësi, por në të njëjtën kohë të punojmë bashkë në të mirë të qytetarëve”, ka thënë ai.

Ai e ka vlerësuar krejt të panevojshëm sulmin ndaj institucioneve, duke shtuar se nuk arrihet efekt duke dëmtuar objektet e shtetit.

“Dëmtimi i pronës publike dhe private është i papranueshëm, sulmi ndaj atyre që nuk iu kanë bashkangjitur protestës, ndaj medieve dhe Ambasadës së Malit të Zi”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi.

Për arsye të tilla, Vetëvendosje duhet t’iu kërkojë falje qytetarëve të Kosovës, atyre të cilëve u janë dëmtuar pronat dhe familjarëve të policëve të lënduar.