Thaçi për Die Presse: PDK-ja fiton në zgjedhjet e së dielës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë ekskluzive për të përditshmen prestigjioze austriake “Die Presse”, ka thënë se në zgjedhjet e së dielës Partia Demokratike e Kosovës do të dalë fituese bindëse.

Lajme

04/06/2014 21:24

Programi ynë po pranohet. Qytetarët ju besojnë premtimeve të mia që në mandatin e ri do t’i krijojmë 200 mijë vende të reja të punës, ka thënë Thaçi për gazetën austriake.

Ai ka shtuar se në mandatin e ardhshëm do të ketë një mazhorancë shumë të fuqishme në Kuvendin e Kosovës.

Duke u përgjigjur në pyetjen për slloganin e ri të PDK-së, Thaçi ka thënë se misioni i parë ka qenë liria dhe shteti i Kosovës. Misioni i dytë, sipas tij, ka qenë forcimi i shtetësisë së Kosovës, të cilën e kemi përfunduar me sukses.

“Prandaj, tani qytetarët do të ma besojnë misionin e ri: zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Para pak ditësh kemi marrë vendimin për ngritjen e pagave për 25 për qind për të gjitha kategoritë, në përputhje me kriteret e Fondit Monetar Ndërkombëtar”, ka thënë kreu i PDK-së, duke shtuar se këtë muaj do të fillojë ndërtimi i autostradës Prishtinë – Shkup, transmeton KosovaPress.

“Ne po e ndryshojmë Kosovën”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe për dialogun me Serbinë.