Thaçi: Parlamenti duhet ta votojë Gjykatën Speciale

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se Parlamenti i vendit duhet të vendos për themelimin e një Gjykate Speciale për të gjykuar krimet në luftën e Kosovës.

Lajme

10/04/2014 07:17

Në një intervistë për “Koha Ditore”, Thaçi ka thënë se opsioni që kjo Gjykatë të themelohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, do të sillte pasoja katastrofale për Kosovën.

“E drejta është në anën tonë dhe çdo solucion tjetër do të kishte pasoja shkatërruese për Kosovën, sepse opsioni tjetër është që kjo çështje të shkojë në Këshillin e Sigurimit, që është kërkesë e Rusisë, dhe, të flasim hapur, në mungesë të vetos, gjë që na është konfirmuar prej miqve tanë nga shtetet mike. Kalimi i kësaj çështjeje në KS do të kishte pasoja shkatërruese për imazhin e Kosovës”.

“Ne si liderë politikë jemi duke u konsultuar në mes vete. Jemi duke u konsultuar edhe me SHBA-në dhe me BE-në, dhe natyrisht vendimin përfundimtar i takon Parlamentit të Kosovës, por Qeveria në asnjë rrethanë nuk ka qenë e involvuar në asnjë proces negocimi të kësaj çështjeje”.

“Sugjerimi dhe këshilla ime është që në asnjë rrethanë të mos jetë ndonjë hapësirë që të involvohet apo të realizohet aspirata e Rusisë që në këtë proces të inkuadrohet Këshilli i Sigurimit. Kjo do të kishte pasoja katastrofave”.

“Kjo i bie që të gjithë liderët politikë të Kosovës të arrijnë një marrëveshje të përbashkët që të marrin vendimin e përbashkët dhe përgjegjësinë e përbashkët”.

Thaçi thotë se çështja e tranzicionit të EULEX-it por dhe krijimi i Gjykatës Speciale nuk kanë qenë të planifikuara të ndodhin njëherësh.

Ai thotë se së bashku me miqtë ndërkombëtarë, përmes kësaj Gjykate, Kosova do të heq barrën e rëndë që ja ka vënë raporti i Dick Martyt.

“Çështja e tranzicionit të EULEX-it nuk ndërlidhet me punën e mandatit qeveritar. Sa i përket çështjes së dytë, kërkesës për Gjykatë Speciale, nuk ndërlidhet gjithashtu me periudhën e mandateve, por me përfundimin e hetimeve”.

“Edhe SHBA-ja edhe BE-ja mendojnë se duhet të jetë një Gjykatë Speciale me dy seli, një në Kosovë dhe një jashtë vendit. I gjithë ky mendim është fokusuar në atë që do ta ndihmojmë Kosoovën për të pastruar nga ajo barrë e raportit të Dick Martyt, një barrë që është vënë në shpinën e Kosovës krejt padrejtësisht”.

Ish lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi beson fuqishëm në pafajësinë e luftëtarëve. Ai thotë se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe të pastër.

“Edhe tash edhe jetësisht besoj në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së. UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë, të pastër dhe ka respektuar standardet ndërkombëtare”, ka thënë Hashim Thaçi për “Koha Ditore”.