Thaçi: Opozita të heq dorë nga dhuna

Në dhunën e mbrëmshme në rrugët e Prishtinës nuk ishte populli. Nuk ishin më shumë se 100 militantë të partive opozitare, të cilët nuk patën respekt as për shtetin, as për institucionet e shtetit, as për qytetarët, as për ligjin e as për drejtësinë. Mbrëmë ka pasur sulm flagrant kundër ligjit dhe rendit publik në shtetin tonë. Manipulimi i opinionit publik, shtrembërimi i fakteve, pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës, dhuna, nuk janë mjete për të marrë pushtetin, nuk janë mjete për të ndërtuar shtetin. Përkundrazi, këto janë metoda për të shkatërruar shtetin, për të shkatërruar tërë atë që është arritur deri tani në Kosovë. Kështu është shprehur zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për lajmi.net.

Lajme

13/10/2015 20:17

Ai ka thënë se qëndrojnë të palëkundur në agjendën e qeverisë dhe se partitë opozitare duhet të heqin dorë nga rruga e dhunës dhe t’u kthehen institucioneve demokratike, pasi kjo është e vetmja rrugë për t’i realizuar aspiratat politike. Ndërsa, ka lavdëruar edhe sjelljen e shumicës së deputetëve, duke thënë se përkundër provokimeve që nuk kemi imagjinuar se do t’i shohim ndonjëherë në Kosovë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, deputetët e Kuvendit, po e ruajnë gjakftohtësinë dhe po i ikin eskalimit të dhunës, duke ftuar në dialog dhe përballje të argumenteve.

Kjo sjellje, sipas zëvendëskryeministri Thaçi, është shembullore dhe për çdo lëvdatë.

 Lajmi.net: Tensionet e krijuara në Kuvendin e Kosovës mbrëmë u përhapën edhe në rrugët e Prishtinës. Si i komentoni ngjarjet e mbrëmshme?

Hashim Thaçi: Mbrëmë pat dhunë. Pat sulm flagrant kundër ligjit dhe rendit publik në shtetin tonë. Është kjo një goditje e rëndë kundër institucioneve të shtetit dhe një njollosje e madhe e imazhit të shtetit tonë të ri nëpër botë. Është për të ardhur keq që Kosova ishte në faqet e para të mediave më prestigjioze ndërkombëtare këto ditë, jo për të arriturat që janë evidente, por me lajmet për gazin lotsjellës dhe sulmet kundër policisë. Qytetarët, shteti ynë nuk e meritojnë këtë padrejtësi.

Edhe këtë herë këto akte të dhunshme nuk kanë kursyer as pronën private të qytetarëve, gjë që është e papranueshme dhe e papërgjegjshme. Partitë opozitare duhet të heqin dorë nga rruga e dhunës dhe t’u kthehen institucioneve demokratike, pasi kjo është e vetmja rrugë për t’i realizuar aspiratat politike. Dhuna në Kosovë sot u shërben vetëm armiqve të Kosovës. Zgjidhjet duhet të kërkohen vetëm nëpërmjet rrugëve institucionale dhe duke respektuar parimet demokratike dhe ligjet.

Lajmi.net: Cilat vlerësoni se janë shkaqet që kanë çuar në këtë krizë politike dhe në këtë radikalizëm të opozitës?

 Hashim Thaçi: Mund të arsyetohet dëshira e opozitës për të marrë pushtetin, por janë të pa-arsyetueshme mjetet që po përdor opozita për këtë qëllim. Manipulimi i opinionit publik, shtrembërimi i fakteve, pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës, dhuna, nuk janë mjete për të marrë pushtetin, nuk janë mjete për të ndërtuar shtetin. Përkundrazi, këto janë metoda për të shkatërruar shtetin, për të shkatërruar tërë atë që është arritur deri tani në Kosovë.

Opozita vazhdimisht po thirret në Marrëveshjet e Brukselit, në Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, shoqërimet nga ana e policisë tek organet e hetuesisë po i cilëson si kidnapime, por në anën tjetër nuk po lejon që për këto të diskutohet dhe të debatohet në institucionet e thirrura për këtë, në Kuvendin e Kosovës dhe në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës. Nuk po lejojnë që të tregohet për të arriturat e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që këto marrëveshje kanë bërë që Kosova të jetë e tëra dhe të funksionojë si shtet; nuk po pranojnë të tregohet se janë shuar institucionet paralele dhe se Kosova ka konsoliduar institucionet e veta shtetërore në tërë territorin e Kosovës, me zgjedhjet sipas ligjeve të Kosovës, me shtrirjen e ligjeve dhe institucioneve të drejtësisë së Kosovës, me rrjetin e transmisionit të energjisë; ka siguruar kodin telefonik me të cilin do të dallohet në botë.

Një nga pengesat kryesore që kemi identifikuar për Kosovën në skenën ndërkombëtare është imazhi i saj i një vendi të sapo-dalë nga lufta, i shkatërruar dhe i zhytur në dhunë. Ne kemi arritur që të ndryshojmë këtë imazh të Kosovës. Të tregojmë një Kosovë që ka lënë prapa shkatërrimin dhe traumën e luftës, që është kthyer kah e ardhmja më e mirë për qytetarët e saj dhe të tërë rajonit; një Kosovë që promovon dialogun dhe bashkëpunimin, tolerancën dhe bashkëjetesën. Si mirënjohje për këtë jemi afër që të anëtarësohemi në UNESCO dhe të përfitojmë nga mekanizmat e saj në fushën e shkencës dhe arsimit.

BE-ja, duke njohur të arriturat tona në instalimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik na ka ofruar që të nënshkruajmë MSA-në. Këtë vit presim edhe rekomandimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Janë këto të arritura që po i sheh dhe po i njeh tërë bota. Por, opozita në Kosovë nuk po dëshiron t’i shohë këto të arritura. Po i mohon dhe po i shtrembëron ato, duke manipuluar qytetarin e Kosovës dhe duke e nxitur për dhunë.

Kryeministri, unë, dhe në fakt e tërë qeveria ishim të gatshëm që të dalim para Kuvendit, para qytetarëve, të informojmë për të gjitha këto të arritura, por opozita nuk po e pëlqen këtë. Me veprimet e veta ajo po ja mohon qytetarëve të Kosovës të drejtën që të jenë të informuar nga qeveria e tyre, nga të zgjedhurit e tyre; dhe po ju imponohet – me dhunë – një interpretim i shtrembëruar, i pasaktë dhe ogurzi.

Lajmi.net: Çfarë po bën Qeveria, cilët janë hapat e mëtejmë dhe si mendoni ta zgjidhni krizën?

 Hashim Thaçi: Kosova është një shtet ku ka rend dhe ligj, ku është instaluar demokracia dhe që qeveriset nga një qeveri legjitime dhe një mazhorancë solide parlamentare, që ka për synim strategjik integrimin Euro-Atlantik të vendit. Kjo mazhorancë jep llogari para popullit e ligjit dhe nuk do të dorëzohet prej presioneve që vijnë prej rrugës dhe dhunës. Në rrugëtimin tonë ne kemi mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të BE-së të Gjermanisë, Francës e Britanisë, në fakt të të gjithë aleatëve të tjerë perëndimorë, të cilët kanë investuar shumë në krijimin dhe ndërtimin e shtetit tonë dhe assesi nuk do të donin të shihnin atë investim të tyre të shpërdoruar apo dëmtuar.

Është inkurajuese që megjithatë në institucionet e Kosovës, tek koalicioni qeverisës, po mbizotëron arsyeja dhe maturia. Përkundër provokimeve që nuk kemi imagjinuar se do t’i shohim ndonjë herë në Kosovë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, deputetët e Kuvendit, po ruajnë gjakftohtësinë dhe po i ikin eskalimit të dhunës, duke ftuar në dialog dhe përballje të argumenteve. Kjo sjellje është shembullore dhe për çdo lëvdatë. Ne do qëndrojmë të palëkundur për sa i përket agjendës së qeverisë, e cila përmban reforma të thella për zhvillimin e demokracisë, ekonomisë dhe sundimin e ligjit.

Ne do të vazhdojmë edhe më tutje me dialogun teknik me Beogradin, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me anë të të cilit ne forcojmë integritetin territorial të Kosovës dhe konsolidojmë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Pastaj, në vitin 2018, kur është koha kur duhet të mbahen zgjedhjet tjera të ardhshme, vet qytetari i Kosovës do të vlerësojë se kush ka bërë më shumë për shtetin tonë. Jemi bindur sa e sa herë se populli di shumë mirë të vlerësojë dhe të gjykojë dhe as nuk mashtrohet as nuk manipulohet.

Qytetarët e Kosovës kanë përjetuar mjaft dhunë dhe qartë nuk e pranojnë më atë si mjet për të arritur qëllimet politike. Në dhunën e mbrëmshme në rrugët e Prishtinës nuk ishte populli. Nuk ishin më shumë se 100 militantë të partive opozitare, të cilët nuk patën respekt as për shtetin, as për institucionet e shtetit, as për qytetarët, as për ligjin e as për drejtësinë. /lajmi.net