Thaçi nuk flet për “Grupin e Drenicës”, LDK i kërkon të mos bëjë sehir

Kryeministri në largim i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është deklaruar të enjten për ngjarjet e fundit në Qendrën Klinike Universitare, e që kanë të bëjnë me Sami Lushtakun dhe dy pjesëtarë tjerë të “Grupit të Drenicës”, për të cilët herë thuhet se janë arratisur e herë se janë në QKUK, porse refuzojnë të transferohen në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

Lajme

22/05/2014 14:21

Thaçi, pas nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi në mes të PDK-së dhe Shoqatës së të verbërve të Kosovës, ka injoruar gazetarët kur është pyetur se çfarë po bëhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me pjesëtarët e shtrirë për shërim të “Grupit të Drenicës”, pas vendimit të EULEX-it për transferimin e tyre në burgun e Mitrovicës.

Ndërkohë ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila vlerëson Kryeministri dhe Qeveria e tij në largim po bëjnë sehir.

“Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se është e papërgjegjshme që në situata të tilla të fshihesh pas perdesh të skenave koreano-veriore a tribuna të stadiumeve të futbollit, duke shtuar se është e paligjshme që policinë e shtetit ta mbash peng dhe në pamundësi për të vendosur rendin”.

“Përderisa nuk shpallet fajtor nga Gjykata, secili është i pafajshëm. Të tillë janë edhe ata tre të paraburgosur, që përmes formave jashtë-institucionale, po sfidojnë një vendim Gjykate. Kjo po bëhet sepse kjo qeveri në largim dhe njerëzit e partisë që po e udhëheqin atë, e ka bërë praktikë shkeljen e ligjit. Kjo ngjarje na dëshmon edhe njëherë se institucione dhe pushtete kushtetuese janë të kapura nga strukturat e kësaj qeverie”, thuhet në një reagim të LDK-së.

Sipas LDK-së, mospërfillja e ligjit ka rrezikuar partneritetin me institucionet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, LDK konsideron se Qeveria në largim e ka obligim të ndikojë në zgjidhjen e situatës që është krijuar rreth rastit.

“Të akuzuarit duhet të dalin para Gjykatës. Të përballen me faktet dhe të mbrohen me faktet që kanë. Të vendoset drejtësia”, vlerëson LDK.

Veç këtyre, sipas LDK-së, nëse nuk mund t’u garantohet siguria në Veri të Mitrovicës, ata duhet të dërgohen në ndonjë qendër tjetër paraburgimi.

“Qeveria duhet të ndihmojë në këtë proces, që të garantojë edhe procesin gjyqësor, por edhe dinjitetin e të paraburgosurve. Ajo nuk bën të vazhdojë më t’ia mundësojë askujt, që kohën e paraburgimit apo vuajtjes së dënimit, ta kalojë jashtë Qendrave të paraburgimit apo burgjeve”, përfundon reagimi i LDK-së.