Thaçi: Misioni i Ri, programi më i mirë për Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur të enjten ditën në Prizren, ku ka vizituar bizneset e familjes Shehu, ku janë të punësuar mbi 30 punëtorë dhe njihen në gjithë rajonin për suksesin e tyre.

Lajme

29/05/2014 16:47

Në këtë vizitë, Thaçi përgëzoi familjen Shehu për punën dhe rezultatet që kanë pasur në zgjerimin e biznesit të tyre të mobilerisë dhe që produktet e tyre konkurrojnë denjësisht me produktet e importit.

Përveç mobilerisë “Desave”, ata kanë të ndërtuar edhe një kopsht zoologjik dhe një restorant që i kanë shndërruar në qendër atraksioni dhe rekreacioni për të gjithë qytetarët e zonës.

Fondi i Punësimit, tha lideri i PDK-së, do të jetë në funksion të bizneseve të të gjithë sektorëve. “Ky është programi më i mirë dhe misioni i ri për Kosovën. Ne do të mbështesim çdo biznes, që secili biznes të hapë vende të reja të punës”, tha Thaçi.

Kryetari i PDK-së vlerësoi lart shpirtin e ndërmarrësisë që mbizotëron në popullin e Kosovës dhe theksoi se duke përmirësuar edhe më tej klimën e biznesit dhe duke mundësuar financimet e Fondit të Punësimit, bizneset kosovare do të lulëzojnë shumë shpejt dhe brenda një kohe të shkurtër do e bëjnë Kosovën një vend të zhvilluar.