Thaçi mbështet protestat e shqiptarëve në Shkup

Lideri i partisë opozitare PDSH, Menduh Thaçi ka thënë se mbështet shqiptarët që kanë dalë të protestojnë kudër vendimit me burgim të përjetshëm për 6 shqiptarë, në rastin e njohur si Monstra. Ai nuk harroi pa kritikuar rivalin e tij politik, Ali Ahmeti, duke e cilësuar atë si “e keqja e shqiptarëve”, pasi që ai nuk ka reaguar fare për protestat.

Lajme

06/07/2014 13:58

Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare ka thënë se i mbështet protestat e shqiptarëve për rastin e fundit ”Monstra”, kur u dënuan disa të rinj shqiptarë me burgim të përjetshëm.

“Ne i mbështesim protestat, mirëpo ne jemi edhe koka intelektuale dhe racionale. I lus të gjithë shqiptarët mos ta humbin shpresën tek procesi demokratik, dhe mos ta humbin shpresën tek aleatet tanë BE, NATO-ja dhe SHBA-ja”.

Thaçi theksoi se është e drejtë e të gjithve të protestojnë për çdo padrejtësi që ndodh, edhe për rastin e fundit “MONSTRA”, por protesta, sipas tij, duhet të drejtohet aty ku duhet.

“E keqja e shqiptarëve është Ali Ahmeti dhe BDI. Për dhunë policore ndaj protestuesve shqiptarë në Shkup nuk reagohet me fjalë, por me vullnet politik”.

“Ne jemi në vështirësi të reagimit tonë, 153 mijë votues që llogariten gati 2/3 i janë dhënë kësaj politike të Car Dushanit, politikës së represionit dhe ne me shumë vështirësi arrijmë ta shtyjmë përpara qëndrimin tonë, vlerësimin tonë dhe rezistencën tonë”, ka thënë Thaçi.