Thaçi: Nga marsi unë do të jem president

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për emisionin “Monitor” të RTK-së ka thënë se çdo zgjidhje për Kosovën duhet të kërkohet duke respektuar Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe me rrugë tjera.

Lajme

18/10/2015 20:41

E plotësuar. 

Hashim Thaçi ka thënë se në fillim të marsit 2016 do të vendoset për presidentin e Kosovës. Sipas tij tashmë me marrëveshje posti i presidentit do t’i takoj PDK-së respektivisht vet atij.

“Ne do ta respektojmë marrëveshjen me partnerët e koalicionit. Kjo marrëveshje nënkupton që presidencën do ta merr PDK…Është një zotim i sinqertë për zbatimin e plotë të marrëveshjes…Besoj se nuk ka ndonjë arsye që të kem dyshime në partnerët e koalicionit. Nuk vuaj prej dyshimeve në asnjë rrethanë. Besoj se gjërat do të ecin mirë”, ka thënë Thaçi.

 

Thaçi: Deputetët e opozitës po më kontaktojnë-nuk pajtohen me veprimet e shefave të tyre

Thaçi ka thënë se deputetët e opozitës e kanë kontaktuar duke i thënë se nuk janë pajtuar me veprimet e shefave të tyre.

Ai thotë se institucionet e Kosovës, janë stabile.

“Qeveria dhe institucionet janë stabile, janë efikase pavarësisht përpjekjeve për të penguar punqën e Kuvendit. Kosova nuk është në krizë, nuk ka bllokadë, Ka përpjekje të liderëve opozitarë për të penguar punën e Kuvendit”, ka thënë Thaçi në emisionin “Monitor” të RTK’së.

Ai ka thënë se sjelljet e fundit të opozitës janë si pasojë e “ballafaqimit të tyre me realitetin politik në Kosovë”. Ky realitet, sipas Thaçit, është se “opozita nuk mund të ushtrojë dhunë ndaj institucioneve legjitime të vendit”.

“Duke u ballafaquar me realitete politike që janë në Kosovë, kemi të bëjmë me reaigm arrogant dhe ushtrim të dhunës ndaj institucioneve të vendit. Askush nuk mund të pretendojë ta zaptojë pushtetin. Pse ata nuk janë në pushtet, duhet ta pyesin vetveten sepse janë në kundërshtim me parimet, vlerat dhe standardet e demokracisë”, ka thënë ai.

———————

“Opozita nuk ka argumente kundër marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel apo kundër demarkacionit”, ka thënë Zëvendëskryeministri Thaçi duke shtuar se “argumente të tyre (opozitës) janë gurët, gazi lotsjellës, armët në Kuvend, sulmet kundër policisë dhe kundër deputetëve”.

Duke thënë se qeveria ka dashur të informojë Kuvendin e Kosovës për marrëveshjet, Zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se “për këtë po pengohemi”, dhe ka kërkuar nga opozita që “t’i ballafaqojmë argumentet” në Kuvend.

Thaçi ka përsëritur se marrëveshjet janë produkt i Marrëveshjes së prillit 2013 që ishte votuar edhe nga dy prej partive opozitare.

Ai ka theksuar se “Marrëveshja për Asociacionin është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës, me standardet europiane” si dhe se “demarkacioni është në përputhshmëri të plotë me opinion profesional të institucioneve kombëtare e ndërkombëtare, duke respektuar Kushtetutën e vitit 1974, Marrëveshjen e Kumanovës dhe Dokumentit e Presidentit Ahtisari”.