Thaçi: Marrëveshja me Serbinë të përfundojë me njohje reciproke
Pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidenti i vendit Hashim Thaçi ka thënë se se sot janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Lajme
“Ju falënderoj për gjithë ndihmën ndaj Kosovës në procesin e shtetndërtimit. Kosova është shumë e interesuar për sjelljen e investitorëve gjerman dhe zhvillimin ekonomik. Kosova ka një vizion të qartë për tu integruar në NATO dhe BE, ku Gjermania luan rol udhëheqës”, është shprehur Thaçi, raporton lajmi.net.
Presidenti ka theksuar se Kosova ndjehet e obliguar të jap kontribut për forcimin e paqes në Ballkanin Perëndimor.
“Në këtë kontest është jetike normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe implementimi i marrëveshjeve. Porosia ime është se ne jemi gati si Kosovë të hapim kapitull për të bërë hapin vendimtar me Serbinë të arrijmë marrëveshjen obligative mes Kosovës dhe Serbisë. Faza përfundimtare s’do të jetë e lehtë as për Kosovën e as Serbinë, mirëpo nuk ka rrugë tjetër përpos dialogut dhe marrëveshjes”.
Thaçi ka thënë se duhet arritur një marrëveshje përfundimtare e cila do t’i jepte fund ngjarjeve tragjike.
“Marrëveshja duhet të përfundojë më njohje reciproke sepse vetëm kjo mundëson anëtarësimin e Kosovës por edhe Serbisë në BE. BE duhet të ndërmjetësoj në fazën përfundimtare, mirëpres ndihmë edhe nga ju për arsye se ju gëzoni respektin e plotë në Kosovë dhe Serbi dhe jeni shpresa e vetme për të ecur përpara në procese evropiane”, ka thënë presidenti i vendit drejtuar kancelares Merkel.
“Shpresoj që Samiti i Sofjes do të jetë një hap tjetër drejt BE-së”, ka përfunduar Thaçi./Lajmi.net/