Thaçi le të flasë për vizitat

Jakup Krasniqi refuzoi të japë një mendim të prerë për vizitën e Dacicit, por la të kuptohet se është kundër këtyre vizitave. Po të bëhej ndonjë mocion për të kundërshtuar, do të votonte.

Lajme

21/10/2013 12:17

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi deklaroi se nëse bëhej ndonjë mocion për ta kundërshtuar ndalimin e zyrtarëve serbë në Kosovë – ai do ta votonte.

Krasniqi ka qenë i vetmi që ka folur para gazetarëve, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit.

“Ju e dini që marrëveshjen nuk e kam votuar. Edhe mocionin do ta përkrah”.

Ai refuzoi të japë një mendim të prerë për vizitën e Dacicit, edhe pse gazetarët insistuan duke i bërë dy herë pyetje për këtë çështje. Por, ai la të kuptohet se është kundër, duke përmendur se ai personalisht nuk e ka votuar Marrëveshjen e 19 prillit.

“Unë përsëri nuk do ta jap mendimin tim, edhe pse e kam mendimin tim”.

Ai ia hodhi tërë përgjegjësinë Kryeministrit Hashim Thaçi për çështjet që kanë të bëjnë me vizitat e zyrtarëve serbë.

“Megjithatë, Kuvendi nuk lejon dhe nuk kundërshton asnjë qeveritar të jashtëm të asnjë shteti për të hyrë dhe për të dalë nga Kosova. Kjo është përgjegjësia e kreut të ekzekutivit të Kosovës dhe mendoj se pyetjet për këtë çështje duhet t’i drejtohen ekzekutivit”.

“Ju e dini qëndrimin tim për marrëveshjen dhe ju e dini që marrëveshja është votuar jo vetëm nga pozita, por edhe nga një pjesë e madhe e opozitës. Unë mendoj që pyetjet duhet t’u drejtohen atyre që e kanë miratuar marrëveshjen”.

Krasniqi tha se së bashku me Kryesinë e Kuvendit kanë rënë dakord që nesër të mbajnë një konsultë për të vendosur për seancën e ardhshme plenare, që do mbahet më 24 tetor.

“Seancat duhet të mbahen, pikat e rendit të ditës që janë në rend të ditës duhet të përfundojnë, përfshirë edhe Komisioni Hetimor (për PTK’në). Ne tani kemi ngecje edhe në seancat e Kuvendit, kemi ngecje edhe te komisionet parlamentare”.

“Ne e përfunduam mbledhjen e rregullt të Kryesisë së Kuvendit. Pas një diskutimi për seancën e radhës, erdhëm në përfundim që duhet të bisedojmë nesër, të kemi një konsultë me kryetarët e grupeve parlamentare, për të vendosur për seancën e radhës\”.