Thaçi: Kosova rrezikon të mbetet pa ushtri edhe disa vjet

Kryeministri Thaçi ka deklaruar se nëse në ditët në vazhdim themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk futet në rend dite në Kuvend, atëherë vendi do të humb shansin për disa vite që të ketë ushtrinë e saj. Ai ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit që sa më shpejt të fut në rend dite këtë çështje.

Lajme

22/04/2014 13:56

Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që sa më shpejt të fut në rend të ditës themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK).

Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, kreu i ekzekutivit ka thënë se në rast se në ditët e ardhshme nuk votohen amendamentet për themelimin e FAK, atëherë Kosova do ta humb shansin për disa vite që ta ketë ushtrinë e saj.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka kohë që ka marrë vendim për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Kjo çështje është proceduar në Gjykatën Kushtetuese, pastaj nga Kryesia e Kuvendit për të shqyrtuar edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese edhe në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë kryeministri.

“Edhe Gjykata Kushtetuese i ka kthyer përgjigje pozitive Kryesisë së Kuvendit. Dhe tani është momenti që pa humbur kohë, i gjithë spektri politik të reflektojë në kuptimin më pozitiv të mundshëm dhe të futë në rend dite themelimin e FAK-ut”.

“Me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, Kosova, Parlamenti i Kosovës i hap perspektivë të sigurt proceseve integruese të Ushtrisë së Kosovës, fillimisht me partneritetin për paqe dhe në NATO, mbështetjen e plotë të SHBA-ve dhe BE-së. E kemi mirëkuptimin e plotë edhe nga OKB që të lëvizim tutje”.

“Është e pajustifikueshme çdo shtyrje e mëtutjeshme e Kuvendit të Kosovës që të mos e vë në rend të ditës dhe të kalojë me një votim unanim për themelimin e FAK”.

“Ky votim do të duhej të ndodhë në ditët e ardhshme, nëse e humbim këtë shansë historike që e ka Kosova në ditët e ardhshme për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, unë dua të tregojë alarmin tek qytetarët e Kosovës, tek spektri politik kosovar, Kosova do të humb shansin për disa vite të tëra”.

“Ftoj të gjithë spektrin politik, të gjithë deputetët pa asnjë dallim ushtria është e të gjithëve e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallime etnike le ta fusin në rend të ditës Kryesia e Kuvendit le të votojnë për të mirën e shtetit tonë”, ka thënë kryeministri.