Thaçi: Kosova qe dy dekada ka fituar në tavolinë ndaj Serbisë

Presidenti Hashim Thaçi në emisionin “Open”, ka thënë se tash e dy dekada Serbia ka humbur në tavolinë me Kosovën.

Lajme

20/05/2019 21:41

Kompromis me territor nuk bëjmë, ka thënë Thaçi, kurse kërkesa për korrigjim ai ka thënë se është respektim i kërkesave dhe aspiratave të popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës.

Ai i ka hedhur poshtë pretendimet rreth takimit në Berlin.

“Në Berlin nuk është diskutuar asnjë ide e re dhe nuk është mohuar as varrosur asnjë ide që është diskutuar deri më tani. E vetmja e vërtetë e Berlinit janë konkluzionet që kanë dalë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i Kosovës ka komentuar sërish edhe deklaratat për moskoordinim me SHBA-në.

“Ne zhvilluam takim me ambasadorin amerikan në Berlin dhe me Mogherinin dhe nga këto takime ishte e qartë që me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishin koordinuar. Pa koordinim me SHBA-në, nuk mund të ketë as marrëveshje. Pa koordinim me SHBA-në nuk ka mundur të ndodh asgjë me rëndësi në rajonin tonë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se para dhe pas çdo takimi në Bruksel, gjithmonë ka pasur konsultime me SHBA-në.