Thaçi: Kosova nuk e kërkon MSA-në si lëmoshë, por sepse e meriton
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal është një standard matës për partnerët në Unionin Europian, gjë të cilën, sipas tij, Kosova e tregon vazhdimisht.
Lajme
Ai gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Ambasadorëve të organizuar në Prishtinë, ka thënë se Kosova është treguar lidere e dialogut në Europën Jug-Lindore, duke marr parasysh edhe gatishmërinë për të dialoguar me Serbinë.
“Pra, fokusi i Brukselit, Berlinit, Parisit, por edhe Ëashingtonit ka qenë që të përforcohet paqja dhe stabiliteti në Ballkan dhe këtu kemi dhënë si Kosovë një kontribut të jashtëzakonshëm duke u bërë lider të dialogut në Europën Jug-Lindore”, tha Thaçi, raporton lajmi.net.
Ai ka folur edhe për nënshkrimin e MSA-së, duke theksuar se Kosova e meriton atë.
“Kosova nuk e kërkon MSA-në si lëmoshë, por sepse e meriton. Kemi thelluar reformat e gjithëmbarshme, kemi punuar në fushat e tregtisë dhe bujqësisë si prioritare për BE-në dhe kemi qenë maksimalisht të angazhuar në dialog me fqinj. Pra, ne sivjet do të hyjmë në proces formal të integrimit në Union Europian dhe tash e tutje edhe pritjet e diplomacisë kosovare ndryshojnë duke u fokusuar me aktivitete kah agjenda e Brukselit që nënkupton edhe forcimin e bashkëpunimit ndër-kufitar”, ka thënë Thaçi.
Kreu i diplomacisë kosovare, ka folur edhe për procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ku është shprehur se për Kosovën më nuk do të folët në tavolina pa prezencën e saj.
“Një nga një, kemi identifikuar organizatat dhe aty do të aplikojmë dhe aty do të kemi karrigen tonë si Republika e Kosovës. Me dialog apo pa dialog në Bruksel, Kosova do të jetë anëtare e organizmave më të rëndësishëm. Të jeni të sigurt se në mbi 20 takime me homologë që kam pasur sivjet, gjithkund kam kërkuar mbështetje që Kosova të ketë zërin e vet”, ka thënë Thaçi.
Prioritet tjetër, sipas tij është edhe integrimi në NATO.
“Ne presim vendime të ndërlidhura për themelimin e ushtrisë së Kosovës, por në ndërkohë kemi punuar me miqtë në Amerikë në përpilimin e draftit tonë të kërkesës për Partneritet për Paqe dhe ky dokument do të qarkullohet këtë vit, ashtu që në samitin e ardhshëm të NATO-s të ketë përfshirje të Kosovës në interaksion direkt me NATO, jo vetëm si shtet pranues i KFOR-it, por edhe si shtet kontribues në sigurinë e Europës nga sfidat e sigurisë. Po punojmë që Kosova ta ketë vendin e vet të pamohueshëm në arkitekturën e sigurisë Euro-Atlantike”, është shprehur Thaçi.
Ai ka shtuar se nuk do ta pranojë kurrë akuzën e dashakeqësve që tentojnë ta ngjyrosin Kosovën zi, duke thënë se vendi ynë paraqet një storie e suksesit.
“Në krahasim me fqinjët tanë dhe me pikënisjen tonë, jemi shteti me suksesin më të madh zhvillimor në Ballkan. Vonë na kanë lejuar universitetin, vonë kemi fituar lirinë dhe tragjikisht vonë jemi bërë shtet, por sot jemi faktor i rëndësishëm dhe kemi ecur me hapa të përshpejtuar përpara. Prandaj edhe duhet t’i çrrënjosim tendencat që synojnë të na kthejnë prapa”, ka thënë ai.
Po ashtu, Thaçi ka folur edhe për ekonominë e Kosovës. Ai ka thënë se pas një viti të bllokadës që ka dekurajuar shumë prej neve, sivjet jemi kthyer edhe kah ekonomia. “Nënshkrimi i koncesionit të Brezovicës dhe termocentralit Kosova e Re sjell afër 2 miliardë investime të reja dhe do të jep sinjal të mirë për investitorët e ri. Si Ministri e Jashtme kemi punuar shumë me diplomacinë franceze, amerikane, me Bankën Botërore dhe aktorët tjerë që këto dy investime të përfundojnë dhe të paraqesin një bazë të re për krijim të vendeve të reja të punës dhe shembuj të mirë që mund të përdoren për diplomaci ekonomike. Jam takuar edhe me homologët nga Lindja e Mesme dhe po punojmë që në shtator dhe tetor të kemi lajme tjera të mira nga fusha e investimeve duke përfshirë edhe kompani të reja në shumë fusha të ndryshme”, ka thënë Thaçi.