Thaçi: Kosova ka 111 njohje, për një vit e gjysmë presim ta arrijmë në 120

Lajme

25/06/2015 13:12

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, po merr pjesë në Konferencën e III të Ambasadorëve të Kosovës, me temën “Pozita e Republikës së Kosovës në raport me sfidat rajonale dhe globale”.

Thaçi gjatë fjalimit të tij, ka thënë se qëllimi i konferencës është të diskutohet se niveli i diplomacisë kosovare, dhe aspiratat se ku mund të arrijë ajo në periudhën afat-mesme.

“Kosova po shihet që ka hyrë në një fazë të re, më të pjekur të diplomacisë. Nuk kemi nevojë më të dëshmojmë askujt që ekzistojmë. Nuk kemi nevojë t’i njoftojmë shtetet për deklaratën tonë të pavarësisë e as ta mbrojmë legjitimitetin e saj, sepse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka folur tashmë. Tani kemi hyrë në fazën kur Kosova po bëhet pjesë e aleancës globale dhe po synon që të transformohet nga një importues të resurseve të sigurisë dhe ushtarëve në NATO-s në një eksportuese të nismave për dialog dhe paqe. Kosova synon tash jo vetëm të njohjet si shtet nëpërmjet notave verbale, por edhe të merr vendin e vet të merituar në tryezat e mëdha të diplomacive të Ballkanit, Europës dhe botës”, ka thënë Thaçi.

Zëvendëskryeministri Thaçi tha se në fillim të vitit ua ka shpalosur disa fusha prioritare se ku do të fokusohemi më 2015 dhe 2016.

“Shtatë vite pas pavarësisë së Kosovës, është evidente se duhet të krijojmë një shërbim diplomatik të denjë t’i përgjigjet sfidave ndërkombëtare dhe interesave tona nacionale. Për disa vite kemi qenë të fokusuar vetëm në njohje, sepse kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Unë si kryeministër i vendit, gjatë dhe pas pavarësisë, kam punuar me dy ministra që të rrisim numrin e njohjeve dhe sot me krenari themi se Kosova është pranuar nga 111 shtete. Pra, numri i njohjeve ka arritur 111 dhe ne synojmë që të afrohemi deri 120 njohjeve gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm”, ka thënë Thaçi.

Por, sipas tij, prioritet mbi të gjitha prioritetet e tjera, sivjet ka qenë nënshkrimi i MSA-së.