Thaçi: Kosova e vogël, por me ambicie të mëdha

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi shpalosi sot programin e partisë së tij. Ai vazhdoi premtimet e nisura ditë më parë. 

Lajme

20/05/2014 20:34

Tubimi për shpalosjen e programit të Partisë Demokratike të Kosovës, i përngjan një versioni “kosovarqe” të tubimeve elektorale të shteteve perëndimore.

Kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi, vite më parë, në një intervistë për një medium ndërkombëtar, kishte deklaruar se fëmijërinë e tij e kishte kaluar në “fermën” e babait të tij, duke u munduar të tingëllojë si ish-Presidenti i SHBA-ve, George W Bush.

Kësaj radhe, Thaçi duke tentuar që t’i ngjajë tubimeve elektorale amerikane, kishte përfshirë edhe familjen e tij të ngushtë dhe pak më të gjerë, duke përfshirë gruan Lumnijen, djalin Endritin, si dhe prindërit.

Një risi tjetër ishte prezantimi i Lumnijes në fjalim elektoral, si dhe prezantimin që ajo ia bëri të shoqit, i cili më pas mori fjalën.

Thaçi me të nisur fjalimin përmendi flokët e tij të thinjura. Edhe ky një detaj që tingëlloi si një kopje “kosovarqe” e paraqitjeve të burrështetasve perëndimorë.

Kryeministri në ikje, i cili po tenton të marrë mandatin e tretë, nuk e uli tempin e kësaj forme të prezantimit me “tendencë” amerikane edhe gjatë shfaqjes se programit partiak.

Edhe premtimet dhe shifrat mund t’i ngjajnë politikanëve amerikanë, ndonëse Kosova bën sa një qytet mesatar i SHBA-ve.

Ai vazhdoi me premtimet e nisura shumë më parë në kuadër të programit “Misioni i Ri”; Fondin e punësimit, rritjen e pagave, lirimin e taksave, lirimin e shpenzimeve për studime e shumë të tjera

“Misioni i Ri është për pagën që ju sillni në shtëpinë tuaj dhe ushqimin në sofrën tuaj familjare. Kosovës para se gjithash i duheshin themelet, prandaj, e fituam lirinë dhe e ndërtuam shtetin”.

“Ne kishim nevojë të ndërtonim shtetin tonë, universitetet tona, autostradën e kombit, aeroportin tonë. Ky është themeli për zhvillimin ekonomik të vendit”.

“Por, tani kemi vendosur themele për zhvillim ekonomik të bollshëm. Ne duhet të përqendrohemi tërësisht në krijimin e vendeve të reja të punës”.

“Këto zgjedhje janë për ju. 8 qershori është dita kur qytetarët e Kosovës do të rikujtohen për fuqinë që e kanë për vendin tonë. Do të jemi para një kutie votimi dhe me një shënim të vetëm do të vendosni për të ardhmen tonë”.

“Jam këtu në formë të përulur para jush që ta kërkoj votën tuaj për ta jetësuar Misionin e Ri”.

“Kërkoj votën tuaj që të krijoj 200 mijë vende të reja të punës. Që t’ju shërbej qytetarëve kudo dhe në çdo cep të Kosovës pa dallime”.

“Synimi dhe qëllimi im është ta bëjmë rininë më të arsimuar në rajon. Të rinj të gatshëm për ta çuar ekonominë tonë përpara”.

“Një mision i ri nënkupton edhe mundësi për të gjithë. Një vajzë e re ka mundësinë sikur një djalë i ri. Është detyrë e burrave kosovarë të luftojë për të drejtat e grave”.

“Ne jemi një shtet i vogël me ambicie të mëdha”.