Thaçi konfirmon vizitën në Beograd

11:47 | 17 Prill 2015

Zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh edhe ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në konferencën për integrime evropiane që do të organizohet në Beograd mes datës 23 dhe 25 prill, raporton b92.

Lajmërimin për konfirmimin e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit e ka bërë organizata jo qeveritare Komiteti për Arsimim të të rinjve, e cila edhe është nikoqire e kësaj konference me vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Indeksonline.

Ftesa që i është bërë Hashim Thaçit së fundmi nga kjo organizatë, ka nxitur reagime të shumta në opinionin serb.

Ivica Daçiq, ministër i Jashtëm i Serbisë ka thënë se Hashim Thaçi nuk ka çfarë kërkon në Serbi, ndërkaq ka pasur zëra edhe të llojit se ai duhet të arrestohet me rastin e vizitës së tij në Beograd.

Por, duket se Hashim Thaçi ka vendosur t’i injorojë këto zëra duke konfirmuar pjesëmarrjen e tij në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës në këtë konferencë.