Thaçi kërkon ndihmën e Haradinajt (Video)

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni (PDSH), Menduh Thaçi, është pritur sot në një takim nga kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Lajme

12/03/2015 14:16

Thaçi tha se vizitoi mikun e tij për ti kërkuar ndihmën që kërkesat politike të shqiptarëve në Maqedoni të bëhen të pranueshme për faktorin ndërkombëtar.

“Është shumë e rëndësishme për PDSH-në, por edhe për shqiptarët e Maqedonisë që të kemi një komunikim real me drejtuesit në Kosovë nga dy aspekte. Në aspektin e parë shqiptarët e Maqedonisë duhet të jenë të mirë informuar për situatat politike në mënyrë që në veprimet tona mos të bëjmë gabime. E, arsyeja e dytë që takova Haradinajn ishte pse ne po kërkojmë ndihmë së pari te aleati jonë AAK-ja, që të na ndihmojë që kërkesat politike të shqiptarëve të Maqedonisë të bëhen sa më të pranueshme te faktori ndërkombëtar”, ka thënë Thaçi.

Lideri i PDSH-së i pyetur për Gjykatën Speciale ka thënë se kjo është çështje e institucioneve të Kosovës, por të gjithë do të angazhohen që lufta e drejt e UCK-së mos të merr pikë të zezë.

Kurse kreu i AAK-së, Haradinaj i premtoi përkrahje në realizmin e kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë.

Haradinaj foli edhe për procesin e verifikimit të veteranëve të UÇK-së, ku ka akuzuar ish- kryeministrin Thaçi dhe ish- ministrin Çeku, se e kanë dëmtuar këtë proces.

“Qeveria e ka bërë komisionin për të zbatuar ligjin të cilin e kanë vënë për tre muajt e fundit të luftës duke mos e ditur se ka pas luftë edhe më herët”, tha Haradinaj pas një takimi me kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçin.

Haradinaj nuk e ka komentuar deklaratën e Melihate Tërmkollit, e cila sot në Kuvend, ka shtruar një pyetje se përse çështja e hetimit për SHIKU-në nuk ishte ngritur nga Haradinaj gjatë kohës kur ky i fundit ishte kryeministër.

YouTube player