Thaçi: Kërkon mbështetje nga Malta në integrim në NATO e BE

(E plotësuar) Zëvendëskryeministri i, Hashim Thaçi gjatë vizitës së tij në Maltë, ka takuar edhe kryetaren e këtij shteti, Marie-Louise Coleiro Preca, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen që po i jep shteti maltez Kosovës.

Lajme

02/06/2015 15:35

Më anën tjetër Preca ka thënë që Kosova është një shtet që po dëshmon përkushtim të madh për integrim në familjen e madhe evropiane dhe përkrahja e shtetit maltez, i cili ishte ndër të parët që ka njohur edhe pavarësinë e Kosovës, nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.

Ndërsa, Thaçi e njoftoi kryetaren e Maltës edhe me fokusin e tashëm të politikës së jashtme në kërkim të njohjeve të reja dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare, ku tashmë po kërkohen më shumë njohje cilësore.

“MSA-ja përbën një ndryshim të madh kualitativ të marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së. Gjithashtu, ne shumë shpejt do të aplikojmë për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës, i cili ofron instrumente të ndryshme për qytetarët e Kosovës që të mbrojnë të drejtat e tyre. Gjithashtu, do të aplikojmë edhe në UNESCO, i cili do të na mundësojë që të kujdesemi vet për trashëgiminë tonë kulturore, historike e religjioze”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi.

——————————————————————————————————-

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka vazhduar takimet bilaterale në Republikën e Maltës.

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare, Thaçi ka zhvilluar një takim edhe me kryeparlamentarin e Maltës, Anglu Farrugia, me të cilin ka biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror në diplomacinë parlamentare.

Thaçi dhe Anglu kanë theksuar se parlamentet e të dy shteteve kanë themeluar komisione parlamentare, që nuk gjenden shpesh as në parlamentet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ata janë shprehur se është e rëndësishme që të rritet bashkëpunimin në mes të dy parlamenteve, e posaçërisht të shkëmbehen përvojat në nivel të parlamenteve dhe komisioneve parlamentare dhe kanë nënvizuar rëndësinë e rolit të kuvendit në mbikëqyrjen e financave publike dhe përgjegjësive publike.

Gjatë ditës së sotme, zëvendëskryeministri Thaçi ka takuar edhe ministrin e Punëve të Brendshme dhe Sigurisë Kombëtare të Maltës, Carmelo Abela.

Thaçi dhe Abela kanë biseduar për bashkëpunimin në sektorin e sigurisë, migracionit dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se paqja dhe stabiliteti në Mesdhe, sikur edhe në Ballkan, ndikojnë edhe në paqen dhe stabilitetin në Evropë. Ai ka shtuar se Kosova është dëshmuar e suksesshme në luftimin e migrimit ilegal, se merret si shembull për angazhimin e saj kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, dhe se vendi synon të anëtarësohet në EUROPOL dhe INTERPOL. “E çmojmë mbështetjen e Maltës për anëtarësimin e vendit tonë në organizata të sigurisë. U thash miqve maltezë se anëtarësimi në NATO dhe BE mbeten prioritete kryesore të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.