Thaçi kërkon maturi politike

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, shprehët optimist, duke thënë se krizës politike i ka ardhur fundi. 

Lajme

07/11/2014 17:26

Përmes një postimi në profilin e tij Facebook, Thaçi ka thënë se në këtë fazë nevojitet një maturi politike, për të arritur deri te krijimi i institucioneve.

Kreu i PDK-së, në këtë deklaratë të tij, ka lënë dy opsione përmes të cilave, mund të zgjidhet krejt kjo situatë: e para është marrëveshja në mes të partive, dhe nëse kjo dështon, ai parasheh zgjedhje të reja.

Sipas tij, për tejkalimin e ngërçit nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër të pjesshme.

Lexoni postimin e plotë të Kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit:

Zhvillimet e fundit politike tregojnë se jemi në fazën përmbyllëse të tejkalimit të ngërçit politik të krijuar në mënyrë arbitrare nga veprimet e nxituara dhe antikushtetuese të bllokut opozitar. Zgjidhje që ndodhet para nesh mbi gjithçka tjetër kërkon maturi politike. Dhe unë dua të besoj se ne, si liderë patjetër duhet të sillemi në mënyrë të tillë. Nuk ka më kohë për eksperimente amatoreske politike, por tani është momenti të materializojmë vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e lira. Pra, tani ka dy opcione të vetme që duhet marrë në konsideratë seriozisht dhe shpejt. Opcioni i parë dhe më i mirë është që të ulemi bashkë ashtu siç ka kërkuar edhe Presidentja e Kosovës dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë për vendin dhe qytetarët tanë të lodhur nga pritja. Ndërsa, opcioni i dytë është që të ulemi përsëri bashkë dhe të vendosim se kur të caktojmë daten për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të jashtezakonshme. Zgjidhje të pjesshme dhe të improvizuara nuk do të ketë, sepse Kosova dhe qytetarët tanë duan qeveri legjitime, efikase dhe stabile. Unë rikonfirmoj edhe një herë se të gjitha veprimet e ardhshme të PDK-së si parti fituese, do të jenë në përputhje me ligjin, kushtetuten dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës. HTH