Thaçi javën e ardhshme synon formimin e ekipit negociator, së bashku me partitë politike

Presidenti Hashim Thaçi synon që gjatë javës së ardhshme t’i bëjë bashkë, kryeministrin, kryeparlamnetarin, përfaqësuesit e partive politike dhe shoqërisë civile, për të biseduar rreth ekipit negociator për fazën e fundit të bisedimeve më Serbinë.

Lajme

29/06/2018 12:32

Një gjë të tillë i pari i vendit e ka paralajmëruar gjatë informimit të kabinetit qeveritar për takimin e parë të fazës së fundit të dialogut me Serbinë.

“Gjatë javës së ardhshme pres nga liderët politikë pozitë dhe opozitë të ulemi për të konkretizuar ekipin negociator të Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Ai nga zyra ku për dy mandate udhëheqi mbledhjet e Qeverisë si kryeministër i vendit, tash në cilësinë e presidentit u bëri thirrje partive politike që të jenë pjesë e dialogut, duke thënë se kjo do ta forconte ekipin negociator të Kosovës.

Krijimin e një ‘ekipi të unitetit’, për fazën e fundit të dialogut me Serbinë, Thaçi e kishte propozuar qysh moti, por që nuk ishte mirëpritur nga partitë opozitare./Lajmi.net/