Thaçi: Isa Mustafa e di që ka humbur, andaj i është përkulur Pacollit

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, ka komentuar afrimet e fundit në mes të Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit, duke thënë se kryetari i LDK-së e ka parë qartë se është humbës, andaj i është përkulur AKR-së për koalicion parazgjedhor. 

Lajme

22/05/2014 23:20

“Lideri i LDK-së e di se është humbës, për këtë arsye iu ka përulur edhe z. Pacolli që me çdo kusht të futet në koalicion parazgjedhor. Iu ka përulur me formën më jo politike. Por, sido që të jetë, është e drejt e tij”, ka thënë Thaçi. 

Thaçi, gjatë një interviste për TV Dukagjini, i ka dhënë përgjigje Mustafës edhe për debatin e kërkuar nga ky i fundit. Ai ka thënë se është i gatshëm për një debat të tillë, por – siç ka thënë ai – “debati do të realizohet pasi që ai dhe opinioni publik ta vlerësojë se kush është lideri i opozitës që duhet të dalë përballë tij”. 

“Në këtë moment nuk dihet se cili është lideri i opozitës, a është z. Haradinaj që duket pretendent serioz, a është z. Kurti që ka aspiratën shpirtërore të tij që të bëhet kryeministër, z. Pacolli apo z. Mustafa. Në momentin që unë dhe opinioni do të profilizojë kandidatin opozitar të fuqishëm, natyrisht se unë jam i gatshëm për debat”, ka deklaruar Thaçi. 

Ai ka deklaruar se pos PDK-së që ka një plan dhe program të saktë e që quhet “Misioni i ri”, një gjë të tillë e ka parë edhe tek Haradinaj, duke thënë se të tjerët po flasin përmendësh. 

“Përpos z. Haradinaj, asnjë lider tjetër opozitarë nuk kam parë të kenë program të shkruar, pos dëshirës që të bëhen kryeministra dhe të flasin përmendësh”, është shprehur Thaçi.