Thaçi gazetarëve në Maqedoni: Kosova është shembull në rajon për luftimin e ekstremizmit fetar

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, njëherësh edhe dhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, sapo e ka filluar vizitën e tij zyrtare në Shkup, ku është pritur nga homologu i tij, Nikola Poposki.

Lajme

22/01/2015 09:27

Në këtë takim Thaçi dhe Poposki do të bisedojnë për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Maqedonisë dhe atij rajonal, si dhe do të nënshkruajnë disa marrëveshje bilaterale.

Siç raportojnë mediat e Maqedonisë, dy ministrat kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral e rajonal.

Merret vesh po ashtu se është biseduar për mundësinë e kalimit të kufirit nga banorët e të dy vendeve vetëm me letërnjoftime. Por kjo do të ndodhë pas trajtimit të disa çështjeve teknike.

Vendosja e këtij regjimi nuk pritet para gjashtë muajsh, citohet të ketë deklaruar Thaçi.

“Është vullneti i të dy shteteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por janë disa procedura teknike që duhet kaluar. Besoj që 6 mujorin e ardhshëm do të udhëtojmë me letërnjoftime”, ka thënë Thaçi.

Në takim gjithashtu është diskutuar edhe mbajtja e mbledhjes së përbashkët në mes të dy qeverive.

Kjo pritet të ndodhë së shpejti.

Tema diskutimi midis ministrave Thaçi e Poposki ishin edhe projektet rajonale infrastrukturore. Sipas ministrit të Jashtëm të Kosovës, për Republikën e Kosovës interes i veçantë është përshpejtimi i hapave të ndërtimit të hekurudhës së korridorit të tetë Kërçovë – Strugë – Qafë Thanë.

Bëhet e ditur se janë nënshkruar marrëveshjet për Mbrojtjen e ndërsjellët të investimeve, si dhe për Bashkëpunim në mes akademive diplomatike.

I pyetur nga gazetarët nëse është në dijeni për një grup shqiptarësh nga Kosova dhe Shqipëria që në Itali po rekrutojnë luftëtarë për organizatën terroriste, Shteti Islamik, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovësa, Hashim Thaçi u përgjigj se Kosova është shembull se si duhet të luftohet ekstremizmin fetar.

“Ne do të jemi të pa kompromis ndaj këtij fenomeni”, ka shtuar ai dhe ka shtuar “Kosova nuk do bëjë kompromis me ekstremizmin fetar”.

—————————————-

Thaçi, sot vizitë zyrtare në Maqedoni

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, njëherësh edhe dhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, do të vazhdojë sot turneun e tij ballkanik, me një vizitë zyrtare në shtetin fqinj, Maqedoninë.

Gjatë qëndrimit në Shkup, zëvendëskryeministri Thaçi do të zhvillojë takime me udhëheqësit e institucioneve të Maqedonisë, me përfaqësuesit shqiptarë dhe të shoqërisë civile.

Zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet me presidentin e Republikës së Maqedonisë, George Ivanov, me kryeministrin Nikola Gruevski dhe ministrin e Jashtëm, Nikola Poposki.

Në këto takime do të bisedohet për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, rajonal si dhe do të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale.

Zëvendëskryeministri Thaçi, pasdite do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup, për të vazhduar më pas vizitën në Tetovë, ku në takime të ndara do të pritet nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Në këto takime do të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, heqjen e barrierave tregtare si dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave.

Po ashtu do të bisedohet për projektet rajonale infrastrukturore, ku për Republikën e Kosovës interes i veçantë është përshpejtimi i hapave të ndërtimit të hekurudhës së korridorit të tetë Kërçovë – Strugë – Qafë Thanë.

Vizita e tij në Maqedoni, vjen vetëm pak ditë, pasi zëvendëskryeministri Thaçi zhvillojë vizita zyrtare në Shqipëri dhe Mal të Zi.