Thaçi: Fitore më të thellë se në vitin 2007

PDK ka hapur zyrtarisht fushatën parazgjedhore në Prishtinë. Kryetari Hashim Thaçi, është shprehur i bindur në fitore të thellë.

Lajme

28/05/2014 18:44

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi ka hapur sot zyrtarisht fushatën parazgjedhore, duke u shprehur i bindur në fitore.

Ai në tubimin inaugurues të fushatës të mbajtur në sallën 1 Tetori në Prishtinë, tha se programi i tij partiak “Misioni i Ri” i dedikohet qytetarit, përtej dallimeve politike, për të punuar bashkë për interesat e vendit.

Në fjalën e tij para simpatizantëve, Thaçi deklaroi se PDK-ja bashkë me partnerët e koalicionit do të arrijë fitore të thellë në zgjedhjet e 8 qershorit.

“Fitorja jonë do të jetë edhe me e thellë se në vitin 2007”, tha ai, teksa ka shpalosur Misionin e Ri për vendin.

“Ne kemi përmbyll me sukses të plotë dy angazhimet tona të mëdha; për të fituar lirinë e vendit tonë dhe për të bërë Kosovën e pavarur dhe sovrane. Po punojmë që të jemi pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe OKB-së. Dy misionet e para ishin për shtetin tonë, e misioni ynë i ri është për qytetaret tanë”.

Thaçi përsëriti premtimin për krijimin e 200 mijë vende pune, të proklamuar disa herë edhe para fillimit zyrtar të fushatës.

“Ne do të krijojmë 200 mijë vende të reja të punës. Do të investojmë 500 milionë euro  vetëm në sektorin e bujqësisë  për të krijuar 50 mijë vende të punës. Ne do të krijojmë vende të reja të punës, do të investojmë në biznese të reja, dhe sikur që kemi bërë çdo vit,  ne do të vazhdojmë me rritjen e pagave”.

Në këtë tubim, para simpatizantëve kanë folur edhe liderët e partive të tjera të koalicionit. Ata thanë se Misioni i Ri është bashkim i shumë ideve e njerëzve më të mirë që do të zhvillojnë vendin.  Pas Prishtinës, fushata do të vazhdojë në Fushë Kosovë dhe Drenas.