Thaçi e Haradinaj ngushëllojnë familjen e Riza Llukës

Pas një sëmundje të gjatë, të martën në mesditë ka vdekur Riza Lluka, drejtor i RTV ‘Dukagjini’ dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Me këtë rast familjen Lluka e kanë ngushëlluar, pos tjerësh, edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. 

Lajme

25/11/2014 16:45

I lindur në vitin 1943, Lluka ishte inxhinier i ndërtimit. Në periudhën 1982-1990 ishte anëtar dhe kryetar i Këshillit për urbanizëm dhe punë komunale në ish-Dhomën e Punës së Bashkuar të Kosovës.

Lluka njihet dhe si kundërshtar i amendamenteve të Republikës së Serbisë me të cilat shuhej autonomia e atëhershme e ish-KSAK-së dhe ka votuar kundër këtyre ndryshimeve në vitin 1989.

Riza Lluka ishte deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër të institucioneve paralele, por atëherë si anëtar i Partisë Parlamentare (1992-1998).

Ai ishte këshilltar komunal në Kuvendin Komunal të Pejës për vite me radhë. Mbetet një veprimtar politik i qëndrueshëm dhe koherent në artikulimin e kërkesave dhe nevojave njerëzore, duke ofruar ide dhe shndërruar ato në praktikë.

Ceremonia mortore do të zhvillohet nesër (të mërkurën) në orën 13:00 në varrezat e qytetit të tij të lindjes, në Pejë.

Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Lluka me rastin e ndarjes nga jeta të Riza Lluka. Në telegramin e ngushëllimit thuhet, pos tjerash, se kontributi i Riza Llukës në shërbim të Kosovës në të gjitha periudhat, me theks të veçantë në periudhën e ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, do të jetë pjesë e rëndësishme e historisë politike të Kosovës.

Ndërkaq, në ngushëllimin e Ramush Haradinajt, pos tjerash thuhet se do të kujtohet përherë kontributi i çmuar dhe angazhimi i z. Riza Lluka si një veprimtar politik dhe zë i së drejtës përgjatë gjithë etapave të zhvillimeve në vend.