Thaçi e Daçiq, bashkë në Hagë

Shefat e diplomacive të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, janë ndër më shumë 40 ministrat dhe sekretarët shtetërorë që do të marrin pjesë në Konferencën e 4-t Globale për Sajber Hapësirën, që fillon sot në Hagë të Holandës.

Lajme

16/04/2015 10:33

Tubimi dyditor, tema kryesore të të cilit janë liria dhe siguria e internetit, ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit praktik të shteteve, biznesmenëve dhe institucioneve shkencore, për harmonizimin e standardeve dhe normave ndërkombëtare të sjelljes së pranueshme dhe për gjetjen e mënyrave për mbrojtjen e lirisë dhe privatësisë në internet.

Në konferencën, që do ta hapë kryeministri holandez Mark Rutte, ndër të tjerët, do të marrin shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland, ndërsa numri i përgjithshëm i shteteve pjesëmarrëse do të jetë rreth njëqind, raporton KosovaPress.

Në tubim do të debatohet për çështje të paqes dhe sigurisë botërore dhe për problemin e jursdikcionit në sajber-hapësirën, aspektet sociale të zhvillimit teknologjik dhe sigurisë së internetit për shekullin 21, ndërsa do të bëhet fjalë edhe për raportet ushtarake-civile të internetit, mbrojtjen e lirisë dhe privatësisë, luftën kundër sajber-spiunazhit dhe krimit dhe pengimin e sajber-sulmeve.

Një nga temat do të jetë edhe zhvillimi ekonomik i bazuar në teknologjitë informative, ndërsa pjesëmarrësit në tubim do të përpiqen të japin përgjigje edhe për pyetjet se si të vendoset baraspesha ndërmjet lirisë së shprehjes dhe sigurisë në internet.