Thaçi e Dacic takohen të enjten në Bruksel

Thaçi thotë se në takimin e radhës me Dacic’in do të diskutohet për instalimin e sistemit të Drejtësisë sipas legjislacionit kosovar edhe në Veri, si dhe për funksionimin e një sistemi unik doganor.

Lajme

03/12/2013 12:32

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe  ai i Serbisë, Ivica Dacic, do të takohen  këtë të enjte në Bruksel, për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit dhe një sërë çështjes tjera.

Ky është takimi i parë mes Thaçit dhe Dacicit pas përfundimit të  zgjedhjeve lokale në Kosovë, në të cilat për herë të parë morën pjesë edhe serbët nga katër komunat Veriore, të cilët zgjodhën kryetarët e tyre të ligjshëm për katër vitet e ardhshme.

Mbajtjen e këtij takimi në Bruksel e konfirmoi vetë Kryeministri Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

“Më datën 5  të këtij muaji do të ndodhë takimi tjetër në Bruksel për të përshpejtuar procesin e implementimit të marrëveshjes, do të thotë për funksionimin e Policisë së Kosovës në të gjithë territorin e Kosovës, instalimin e sistemit të Drejtësisë sipas legjislacionit kosovar edhe në atë pjesë të territorit të vendit, pastaj edhe funksionimin e një sistemi unik doganor dhe çështje të tjera”.

“Pasi që u organizuan zgjedhjet në të gjithë territorin e Republikës për herë të parë edhe në Veri, ky është legjitimimi më i fuqishëm edhe qytetar që i ka dhënë marrëveshje së prillit mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Europian  dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.