Thaçi e Dacic kanë biseduar 220 orë
Kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Dacic kanë biseduar 220 orë mes vete, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ndërmjetësuar nga Baronesha Ashton. Dacic, Thaçi e Ashton do të takohen për bisedime të reja më 12 shkurt.
Lajme
Kryeministri i Kosovës dhe i Serbisë nga Mynheni kanë deklaruar se janë të gatshëm t’i vazhdojnë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve dhe ofertave për paqe e prosperitet të popullit serb dhe atij shqiptar.
Në panelin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, moderator i së cilës ka qenë përfaqësuesja e lartë e BE’së, Catherine Ashton, e cila edhe e udhëheq dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të dy Kryeministrat të dielën mbrëma kanë thënë se përveç marrëdhënies ndërmjet dy shteteve është e rëndësishme edhe marrëdhënia me Europën, është bërë e ditur në ueb faqen e Konferencës së Sigurisë së Mynhenit (MSC).
Catherine Ashton ka vërejtur se Thaçi dhe Dacic kanë kaluar 220 orë bisedime për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Dacic gjatë panelit të mbajtur ditën e fundit të konferencës së sigurisë i ka ftuar serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet që do të mbahen këtë vit në Kosovë, kurse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ftuar në bashkëpunim, ka bërë të ditur Radio Evropa e Lirë.
“Janë mbajtur zgjedhjet lokale me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës. Serbët do të duhej të dilnin në zgjedhjet parlamentare. Pyetja kryesore është se si të binden serbët në veri të Kosovës për bashkëpunim dhe të jenë më konstruktiv në të mirë të tyre”, ka theksuar Dacic.
Zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës Veriore do të përsëriten më 23 shkurt, e Thaçi i ka premtuar liderëve të qytetit se do të bashkëpunoj në zgjidhjen e problemeve praktike të përditshmërisë.
“Kryesuesit lokalë kanë thënë se janë të gatshëm për bashkëpunim dhe unë po pres me padurim të fillojmë t’i zgjedhim çështjet praktike”, ka thënë kryeministri i Kosovës, bëjnë të ditur agjencitë.
Thaçi ka vlerësuar se me nënshkrim të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve në prill të vitit 2013, Serbia dhe Kosova janë ‘liruar nga e kaluara’ dhe që sot janë në marrëdhënie më të mirë se që ishin para një viti e gjysmë.
“Po mundohem që ta zbatojmë marrëveshjen por duhet të bëjmë më shumë”, ka thënë Thaçi.
“Në takimin tonë të parë ka qenë në pyetje nëse do t’ia dhëmë dorën njëri-tjetrit, e sot këtë nuk e pyet askush. Askush nuk e ka pritur që do të arrijmë këtu ku jemi tani”, ka thënë Dacic.
Dacic, Thaçi dhe Ashton do të takohen në raundin e ri të bisedimeve më 12 shkurt në Bruksel.
“Statusi politik i Kosovës është i zgjidhur. Kosova është shtet i pavarur dhe kjo është e pakthyeshme, kurse normalizimi i marrëdhënieve është në interes të të gjithëve”, ka thënë Thaçi.
Në faqen e MSC është vlerësuar se debati për të ardhmen e Kosovës është bërë një shembull i ‘diplomacisë së mençur’.