Thaçi: Dyert e bashkësisë ndërkombëtare do të vazhdojnë të hapen për Kosovën

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi në një intervistë të shkurtër për lajmi.net, menjëherë pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme në Paris, ku Kosova për tri vota nuk arriti të bëhet anëtare e UNESCO, ka komentuar procesin nga fillimi deri te dita e votimit. Ai ka thënë se pavarësisht kësaj dyert e bashkësisë ndërkombëtare do të hapen për Kosovën.

Lajme

09/11/2015 15:20

Sipas Thaçit procesi i sotëm ishte i rëndësishëm edhe për një gjë, e ajo sipas tij është se u kuptua se kush me të vërtetë janë miqtë e Kosovës. “E kuptuam edhe një herë se në cilën pjesë të botës bën pjesë Kosova, ajo është Perëndimi”.

Ai tutje ka thënë se në këtë proces u pa edhe fytyra e vërtetë e Serbisë, e kundërt me atë që po e tregon në Bruksel.

lajmi.net: Çfarë ndodhi sot në votimin në UNESCO?

Thaçi: Për tri vota nuk i a dolëm të hyjmë në UNESCO. Edhe pse kemi bërë të gjitha “detyrat e shtëpisë”, t’i arrijmë dy të tretat e votave u tregua të jetë mal i pakapërcyeshëm këtë herë. Do të provojmë përsëri, gjakftohtë dhe krenarë, si gjithmonë. Nuk ka dyshim që Kosova është duke shënuar të arritura të mëdha ndërkombëtarisht. Çdo sukses i brendshëm i Kosovës hap më shumë dyert në skenën ndërkombëtare. Dyert e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën do të vazhdojnë të hapen. Mbesim të vetëdijshëm për të arriturat tona dhe të bindur që drejtësia është në anën tonë.

lajmi.net: Si e vlerësoni tërë procesin?

Thaçi: Procesi nëpër të cilin kaluam ishte i rëndësishme edhe për një gjë: sot u pa se cilët janë miqtë dhe përkrahësit tonë të vërtetë por edhe e kuptuam edhe një herë se në cilën pjesë të botës bën pjesë Kosova. Përkrahja kryesore erdhi nga ajo që e quajmë “botë perëndimore” që ishte njëzëri për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Perëndimi i pranon meritat dhe të arriturat e Kosovës. Perëndimi është dhe do të jetë e vetmja shtëpi e jona.

lajmi.net: Çfarë mësime mund të nxirren nga kjo përvojë?

Thaçi: Ishte një përvojë që na mëson shumë. Sigurisht që mësimet e nxjerra do të na hyjnë në punë në procesin e aplikimit në organizata dhe forume tjera ndërkombëtare në të cilat po aplikojmë këto ditë. Por, në këtë proces kemi mësuar edhe dy gjëra tjera të rëndësishme. E para, në këtë proces doli edhe fytyra e vërtetë e Serbisë, e kundërt me atë që po e tregon në Bruksel. E pamë përsëri Serbinë anti-europiane, antagoniste e Kosovës por edhe e paqes në tërë Ballkanit. Me fjalorin e saj luftë-nxitës, racist, Serbia i ka dhënë goditje tërë përpjekjeve të Kosovës dhe të Perëndimit për dialog, bashkëpunim dhe paqe në tërë Ballkanin. Në fund, më duhet të shtoj edhe se e pafajshme nuk është as opozita kosovare që mu në kohën kur e bindëm botën që Kosova më nuk është ajo e luftës dhe e dhunës por Kosovë e paqes dhe e dialogut, e ktheu Kosovën në ballinat e botës me lajmet për dhunë dhe fjalë urrejtje-nxitëse. Me këtë rast dua t’i falënderoj të gjitha shtetet mike për përkrahjen e pakursyeshme dhe të fuqishme që i dhanë Kosovës në këtë proces, e sidomos qytetarëve të Kosovës për fushatën e tyre plot optimizëm dhe dashuri. /lajmi.net