Thaçi do të niset për një turne ballkanik, vizitë zyrtare në Shqipëri dhe Mal të Zi

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas pak ditësh pritet të fillojë një turne ballkanik. Thaçi, i cili njhëherësh është edhe zëvendës/kryeministër i Parë i Republikës së Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Mal të Zi dhe Shqipëri, dhe në të dyja këdo vende do të ketë "agjendë presidenciale", pasi në Podgoricë do të takohet edhe me preisdentin malazez, ndërsa në Tiranë një takim do ta ketë edhe me presidentin shqiptar. 

Lajme

01/01/2015 12:06

Sipas mediave malaziase, zëvendëskryeministri tashmë e ka të konfirmuar vizitën zyrtare në Mal të Zi me 15 dhe 16 janar. 

Sipas gazetës Vijesti, Thaçi do ta ketë nderin që në Podgoricë ta presin i gjithë lidershipi shtetëror, prej homologut të tij, Igor Lukshiq, i cili është njëherësh edhe zëvendëskryeministër, e deri tek kryeministri Milo Gjukanoviq dhe presidenti Filip Vujanoviq.

Shefi i diplomacisë kosovare gjatë qëndrimit në Podgoricë do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq.

Agjenda e cila në shikim të parë duket presidenciale për nga natyra e takimeve do të përfundon me vizitë Ulqinit ku Thaçi do të takohet me tërë lidershipin shqiptar atje. Kjo është njëherësh edhe vizita e parë ndonjëherë e Thaçit në Ulqin.

Ndërkohë sipas burimeve të lajmi.net brenda Zyrës së ministrit të Jashtëm, përpara vizitës në Mal të Zi, kryediplomati Thaci do të vizitojë Shqipërinë.

Ai do të takohet në Tiranë me Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama dhe liderët e opozitës Lulzim Basha dhe Sali Berisha.

Gjatë muajit janar vizitat Tiranës dhe Podgoricës vijnë pas vizitave që Thaci ka bërë në Bruksel dhe Strasburg ku arriti të takohet me të gjithë krerët e institucioneve europiane, duke përfshi krerët e Këshillit të Europës, komisionerën për Punë të Jashtme, Frederica Mogherini dhe Serketarin e NATO-s, Jens Stoltenberg.