Thaçi: Do kërkoj nga Merkel dhe Macron liberalizimin e vizave dhe bindjen e Serbisë për njohje

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka treguar se në Berlin do të kërkojë liberalizimin e vizave dhe bindjen e Serbisë për njohje të Kosovës.

Lajme

18/04/2019 21:42

Presidenti Hashim Thaçi tha se nga takimi i Berlinit me kancelaren Angela Merkel dhe presidentin Emmanuel Macron do të kërkojë liberalizimin e vizave dhe bindjen e Serbisë për njohje të Kosovës.

“Në Berlin nuk do të ketë dialog, negociata dhe ballafaqim me përfaqësuesit serbë. Ajo që pres nga ky takim është konfirmimi nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron se do ta mbështesin Kosovën në liberalizimin e vizave.Jo që vizat të na japin si dhuratë po si respektim i kontratës. Nëse nuk ndodhë kjo ky takim do të jetë i zbehtë dhe pa substancë. Në anën tjetër do t’i pyes se si do t’i bindin ata pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën”.

Thaçi në Klan Kosova tha se nëse nuk plotësohen këto kërkesa do të jetë fiasko e plotë e takimit.

“Do të kërkoj që nga takimi të dy presidentët të kërkojnë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe ta bindin Serbinë apo të na tregojnë si do ta bindin. Po ashtu, dënimin e gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë”.

“Nëse nuk plotësohen këto kërkesa do të jetë një fiasko e plotë e atij takimi”.