Thaçi bën homazhe në Prishtinë e Prekaz
Kryeministri Hashim Thaçi me rastin e festës së 28 Nëntorit ka bërë homazhe në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz dhe te shtatoret e ish-Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova e komandantit Zahir Pajaziti.

Lajme
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar shqiptarët nga të gjitha viset, për festën e 28 nëntorit, ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe flamurit kombëtar.
Gjatë homazheve të bëra në Prekaz ai ka thënë se sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe e familjes heroike Jashari, si dhe e gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës anë e kënd Kosovës, ia solli lirinë dhe pavarësinë Kosovës.
“Sot, në këtë festë të madhe ndihemi krenarë me këtë sakrificë sublime, por edhe të përgjegjshëm për të vazhduar përkushtimin dhe suksesin tonë institucional për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në institucionet europiane dhe euroatlantike.
Pas vizitës në Prekaz, Kryeministri Thaçi homazhe bëri edhe te shtatorja e ish-Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.
“Ne ishim së bashku këtu si kabinet qeveritar, për të shprehur nderimin tonë shtetëror për presidentin Ibrahim Rugova, për kontributin e tij, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në këtë ditë të madhe për kombin shqiptar, në ditën e flamurit kombëtar, por edhe të festës së 101 vjetorit të shtetit shqiptar.
“Prandaj edhe sot në emër të Qeverisë së Kosovës, të gjithë qytetarëve të Kosovës, uroj shtetin shqiptar për 101 vjetorin dhe në të njëjtën kohë uroj gjithë kombin shqiptar për Festën e Flamurit. Le të mbetet kjo festë gjithmonë festë e unitetit, e bashkimit, e afrimit, e solidaritetit, e marrjes së përgjegjësive të reja për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, por edhe për afirmimin e kombit shqiptar”.
Thaçi ka bërë homazhe edhe tek shtatorja e komandantit Zahir Pajazitit duke thënë se fal tij dhe komandantëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë që Kosova sot të jetë e lirë.
“Lufta, heroizmi, kontributi i jashtëzakonshëm i komandant Zahir Pajazitit dhe i gjithë komandantëve të UÇK-së, ka bërë që sot ne të jemi të lirë, të pavarur, sovran dhe Kombi ynë të afirmohet jashtëzakonisht në botë.
“Sot, në këtë festë të madhe ndihemi krenarë me këtë sakrificë sublime, por edhe të përgjegjshëm për të vazhduar përkushtimin dhe suksesin tonë institucional për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në institucionet europiane dhe euroatlantike.
“Në këtë ditë të flamurit kombëtar, jemi duke bërë nderime shtetërore te njëri prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te njëri prej komandantëve të parë të UÇK-së, prandaj nderime dhe lavdi, komandant Zahirit dhe gjithë komandantëve, luftëtarëve e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë njerëzve që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës”.