Thaçi: Akt i shëmtuar e qyqar

Kryeministri Thaçi thotë se Qeveria në bashkëpunim me EULEX’in, KFOR’in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, është e vendosur që të vazhdojë t’i kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit.

Lajme

19/09/2013 09:40

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dënon ashpër sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të Misionit të EULEX-it, që ndodhi sot në afërsi të Komunës së Zveçanit, ku për pasojë ka vdekur një pjesëtar i EULEX’it.

“Ky sulm kundër pjesëtarëve të EULEX-it është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës”.

“Qeveria në bashkëpunim me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë është e vendosur që të vazhdojë t’i kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë edhe në pjesën veriore të vendit”.

“Kërkojmë nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryerësit e këtij akti që ndodhi sot në Komunën e Zveçanit të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”.

Kryeministri Hashim Thaçi u ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit dhe gjithë pjesëtarëve të EULEX’it.