Tha se rregulloi raportet me ndërkombëtarët, Hoti acaron keq ata me vendimin për Taskë Forcën

Që prej ardhjes së tij në pushtet, kryefjali e fjalimeve të Hotit në konferenca e vende të tjera, kishin qenë lavdet se qeveria e udhëhequr nga ai ka rregulluar “raportet e lënduara” me aleatët, SHBA-të e BE-në. Kjo madje ishte shndërruar në një pikë që Hoti e konsideronte të fortë dhe fakt të pakontestueshëm. Sidoqoftë, ditëve të fundit Hoti pati kritika të ashpra nga këto shtete aleate. Madje ato vunë në pikëpyetje edhe vullnetin që ka qeveria për luftimin e akteve korruptive.

Lajme

28/10/2020 10:24

Shuarja e Taskë Forcës anti-korrupsion nga qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ka nxitur kundërshtitë e para që shtetet aleate të Kosovës, ia kanë bërë kreut të qeverisë. Ky i fundit, gati në çdo paraqitje publike ka përmendur një fakt, se sipas tij raportet me shtetet aleate janë rregulluar krahas veprimeve dhe vendimeve që ka ndërmarrë qeveria karshi dialogut e luftës së pakompromis kundër korrupsionit, shkruan lajmi.net.

Ishte vet ambasadori i SHBA-ve, Philip Kosnett, ai që mbrëmë e konsideroi si “veprim të gabuar të Hotit” shuarjen e Taskë Forcës Speciale kundër korrupsionit.

Ai në një debat televiziv tha se kjo taskë-forcë ka qenë shumë efektive, dhe nëse e njëjta do të modifikohej, do të ishte diçka krejt normale.

“Mendoj se ka qenë vendim i gabuar pasi task-forca kundër korrupsionit ka qenë shumë efektive. Nëse do të modifikohej kjo task-forcë do të ishte diçka normale”, tha Kosnett dje.

Lexo edhe:

Kosnett kritikon ashpër Hotin: Shuarja e Taskë Forcës ishte vendim i gabuar i tij

Fjalë të mira për shuarjen e kësaj Taskë Force nuk dha as Gjermania. Berlini zyrtar përmes ambasadës në Prishtinë madje pati kritika shumë të ashpra.

Ambasadori gjerman, Jorn Rode, tha para disa ditësh se marrja e një vendimi të tillë, konteston seriozisht vullnetin politik për luftimin e korrupsionit në vend.

“Fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion, ngritë shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive”, tha Rode para disa ditësh.

Gjermania i reagon ashpër Hotit për shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion

Hotit ashpër i reagoi edhe Mbretëria e Bashkuar. Ambasada e kësaj të fundit në Prishtinë, u shpreh shumë e shqetësuar për vendimin e marrë nga qeveria Hoti.

Madje thanë se shpresojnë që qeveria të ketë një planë të qartë për krijimin e një byroje anti-korrupsion, si zëvendësim i kësaj task-force.

Qeveria e Kosovës është zotuar publikisht për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërmarrë reforma thelbësore gjyqësore. Ne jemi të shqetësuar për vendimin për të shuar task-forcën dhe presim që Qeveria të ketë plane të qarta për krijimin e një byroje të fuqishme anti-korrupsion për ta zëvendësuar atë, ashtu siç parashikohet nga rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit. Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët ndërkombëtarë janë të gatshëm për të mbështetur këto përpjekje”, thanë nga ambasada britanike.

Shuarja e kësaj task-force është bërë tanimë mollë sherri edhe në mes të kryeministrit Hoti dhe kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Këta të dy, të shtunën që lamë pas patën një përplasje të ashpër në distancë, përmes statuseve në Facebook për këtë vendim të marrë në mbledhje të qeverisë.

Madje, në njërin nga reagime, Haradinaj ia përmendi Hotit qëndrimin e Gjermanisë për çështjen në fjalë.

Vazhdon përplasja në distancë, Hoti i përgjigjet sërish akuzave të Haradinajt

Ajo çka mbetet të shihet është se nëse qeveria e Kosovës do ta zëvendësojë këtë taskë-forcë me ndonjë byro tjetër kundër korrupsionit, ashtu siç është kërkuar nga ndërkombëtarët.

Në përplasjet dhe polemikat për shuarjen e Taskë Forcës tashmë është përfshirë edhe opozita, e cila po e akuzon Hotin se ka marrë këtë vendim pasi që po hetoheshin disa tenderë të lëshuar nga ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu. /Lajmi.net/

Veliu i përgjigjet ashpër Sveçlës, e akuzon për hyrje në dhomën e përgjimeve