Tha se liderët s’po i pret askush, këshilltarja e Haradinajt ia bën “bajat” Vjosa Osmanit

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, gjatë tubimit me struktura të partisë të marten në Therandë ka thumbuar kandidatët e partive tjera, duke thënë se i kanë të mbyllura dyert nga bota.

Lajme

18/09/2019 15:27

“Nuk mund të hapen dyert e Kosovës, nuk mund të hapen dyert nëpër botë nga ata të cilët janë izoluar nga bota. S’mund të presperoj rinia nga liderët të cilëve ua ka mbyllur derën e gjithë bota demokratike”, ka deklaruar Osmani.

Por ndaj këtij deklarimi të saj ka reaguar Meliza Haradinaj, këshilltare e kryeministrit në deytrë Ramush Haradinaj, njëherit motra e tij.

Ajo duke iu referuar Osmanit ka rikujtuar takimet e instancave të ndryshme ndërkombëtare që gjatë 18 muajve ka mbajtur qeveria “Haradinaj”.

“Për 18 muaj në qeveri kemi marrë pjesë në mbi 500 takime të instancave të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë dhe jashtë saj, dhe kemi shkruar mbi 500 letra të personalizuara liderëve botërorë e personaliteteve me influencë politike në botë, për t’iu sqaruar qartë e drejtë që populli i Kosovës nuk e përkrahë asnjë ide që prek territorin ose kufijtë e Kosovës së 17 shkurtit. Në këtë temë ju pretendentët për kryeministër e keni fare lehtë që të mos gaboni në fushatë: përcjellni doktrinën e Kryeministrit Haradinaj. Bindni bashkëpunëtorët tuaj (Veseli – Thaçin, Vjosa – Hazirin, e Albini vetëveten) se ‘Doktrina e paprekshmërisë së 17 shkurtit” është rruga e vetme e dinjitetit shtetëror dhe e Kosovës së fortë që e duam ne, dhe që e duan aleatët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo më tej ka thënë se ‘doktrina e paprekshmërisë’ nuk i përket një partie politike, por i përket sovranit, pra popullit të Kosovës, dhe duhet të respektohet si e tillë.

“Kushdo që guxon të notojë në ujëra të kontaminuara, e të lundrojë në valë të sponzorizuara, do të fundoset në thellësi të cekët”, ka thënë ajo.