Terry: Chelsea e do titullin në Premierligë

John Terry insiston se titulli i kampionit në Premierligë është objektivi kryesor i Chelseat për këtë sezon. Ai i përshëndeti përforcimet Diego Costa e Cesc Fabregas, për të cilët thotë se ia ndërruan pamjen ekipit londinez.

Sport

20/08/2014 01:18

John Terry beson se Chelsea duhet ta synojë titullin e kampionit në Premierligë, pas përforcimeve të mëdha që i bëri këtë verë.

Golat e Diego Costa, Andre Schurrle e Branislav Ivanovic ia mundësuan ekipit Blues që ta shijojë fitoren e parë në ndeshjen e parë të sezonit të ri, ndërsa qendërmbrojtësi anglez beson se ekipi nga Stamford Bridge ka mundësi të shkëlqejë në kampionatin anglez.

“Ne i bëmë disa përforcime të mëdha. Shpresojmë ta fitojmë Premierligën, ky është objektivi ynë këtë sezon”, theksoi 33 vjeçari për uebfaqen zyrtare të klubit.

“Sidoqoftë, do të jetë mjaft e vështirë, pasi i pamë disa lojëra kualitative gjatë fundjavës nga disa ekipe, por ishte e rëndësishme për ne t’i fitonim tri pikë dhe tash të mendojmë për ndeshjet e ardhshme”, përfundoi Terry.