Terroristi i vrarë në Francë shfaqet në një video

Një nga tre personat e armatosur, i përfshirë në sulmet militante në Francë, është paraqitur në një video të publikuar të dielën, ku deklaron besnikërinë e tij ndaj Shtetit Islamik dhe urdhëron myslimanët e Francës të ndjekin shembullin e tij.

Bota

11/01/2015 14:09

Në një video shtatë-minutëshe, që supozohet të jetë menduar për t’u lansuar pas sulmeve, Amedy Coulibaly, i cili u vra nga policia franceze pasi kishte rrëmbyer 5 persona në një supermarket, thotë se sulmet e planifikuara në gazetën satirike dhe në dyqanin e një çifuti, janë motivuar nga intervenimet ushtarake franceze jashtë vendit.

Një burim i policisë anti-terror të Francës ka thënë se nuk ka asnjë dyshim që personi në video është Coulibaly.

Shtatëmbëdhjetë viktima u vranë në tri ditë të dhunës që nisën me sulmin ndaj javores “Charlie Hebdo” të mërkurën dhe përfunduan të premten, kur forcat speciale franceze ndërhynë në dy pika ku terroristët po mbanin pengje.

Policia vrau Coulibalyn, 32-vjeç, të premten, sikurse që vranë edhe dy vëllezërit Kouachi që dyshohet të kenë qenë atentatorët e sulmit ndaj “Hebdo”.

Në videon e publikuar sot, në disa skena shihet një person që i ngjan Coulibalyt duke bërë ushtrime fizike si dhe disa pamje të armëve dhe municionit në dyshemenë e drunjtë të një apartamenti. Ai shihet në disa raste me rroba të bardha, i ulur dhe me një armë përkrah, por edhe me uniformë ushtarake.

Coulibaly thotë se ka punuar së bashku me vëllezërit Kouachi: “I kemi bërë gjërat disi bashkërisht… por edhe ndaras, për të provuar dhe arritur më shumë ndikim”, ka thënë ai, transmeton koha.net.