Termokos nesër fillon furnizimin me ngrohje

Ngrohtorja e qytetit “Termokos” ka bërë të gjitha përgatitjet që të fillojë sezonin e ngrohjes ashtu siç është e paraparë, më 15 tetor.

Lajme

14/10/2015 12:05

Afro 13 mijë konsumatorë do të kenë mundësi për furnizim me ngrohje. Këtë e ka bërë të ditur për lajmi.net, zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka.

“Ashtu siç edhe është e përcaktuar me Ligjin për ngrohje, nesër më 15.10.2015, NP “Termokos” Sh.A, do të fillojë furnizimin me ngrohje për afro 13 mijë konsumatorë”, tha ajo.

Sipas saj,  të gjitha përgatitjet për një fillim të mbarë të sezonit ngrohës  janë kryer me kohë.

“Andaj pritjet tona janë që në bashkëpunim me KEK-un do të arrijmë që edhe për sezonin ngrohës 2015/2016 të furnizojmë me ngrohje cilësore dhe të mjaftueshme gjithë konsumatorët tanë”, shtoi ajo.

Përndryshe, çmimi për ngrohje vazhdon të jetë 1 euro për metër katror./lajmi.net.