Tërmkolli: Opozita po e mbyt debatin në Parlament, në emër të “patriotizmit” për pushtet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka qëndruar pas deklaratave të zyrtarëve të partisë së saj, se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duhet të ndërmarrë të gjitha masat për zhbllokimin e Kuvendit të Kosovës.

Lajme

12/10/2015 18:14

Sipas Tërmkollit, roli i Veselit në Parlament është që të ndërmarrë veprime për të funksionalizuar punën e Kuvendit, duke u mbështetur gjithnjë në rregulloren e punës së legjislativit.

“Kryetari i Kuvendit është për këtë punë, për mbarëvajtjen në Kuvend. Kështu që është krejt normale që ai t’i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet që Kuvendi të funksionojë”, ka thënë Tërmkolli në një prononcim për Indeksonline.

Tërmkolli e sheh të nevojshëm debatin në Kuvend rreth marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe atë për Demarkacionin me Malin e Zi. Por, sipas saj, jo në këtë formë çfarë është duke u përdorur nga opozita.

“Kam thënë edhe më herët që ka arsye të debatohet për këto dy marrëveshje, mirëpo jo në mënyrën se si është duke e bërë opozita. Absolutisht jo”.

Sipas saj, po e mbyt debatin në Parlament, “në emër të një lloj patriotizmi që lirisht mund të përkthehet në insistimin e tyre për pushtet”.

“Kjo që po bën opozita nuk është arsye kombëtare për faktin që, përjashto Vetëvendosjen, të gjithë të tjerët kanë qenë pjesë e këtij procesi që është finalizuar në këto marrëveshje”, ka thënë deputetja Tërmkolli.