Tërmeti rrënon çatinë e pallatit në Tiranë, Rama bind banorët të lënë banesat

18:54 | 22 Shtator 2019

Çatia e një pallati në njësinë administrative numër 7 në Tiranë ka marrë dëmtime të mëdha nga lëkundjet e tërmetit.

Ndërtesa është një rrezik real për banorët, kryesisht ata të katit të fundit. E megjithatë ata kanë refuzuar të largohen nga banesat.

Pikërisht për këtë arsye, pranë tyre ishte kryeministri Rama, i shoqëruar dhe nga deputetja e zonës Etilda Gjoni dhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës.

Rama u kërkoi banorëve të zhvendosen në Kavaleshencën në Durrës, në mënyrë që të të kryehen punimet e duhura.

Banorja: Nuk kam lëvizur fare, këtu gjithë gjërat lëvizën.

Rama: I kemi parë gjithmonë me frikë këto godinat, por kanë rezistuar goxha mirë. Kjo duhet patjetër të riparohet pjesa e sipërme.Strukturalisht besoj se nuk është problem, por pjesa e sipërme duhet të riparohet. Ju nuk mund të rrini këtu, merre dhe të dashurin që është në gjumë tani dhe shkoni Kavalishenca në Durrës dhe bëni një pushim të detyruar. Pjesa lart është dëmtuar dhe është problem dhe për komshiun.

Banorja: Janë katër familje.

Rama: Ku na dole ti korçare trime? Korçaret janë për ballo, teatro, kinema, kulturë, libra, gjuhën shqipe, po edhe trima kaq shumë nuk ju dinim. Përtej shakasë duhet bërë kjo gjë.Të lutem mos e nënvlerëso. Duhet të largoheni që këtu të merren me këtë punë.Nuk mund të rrijë kjo kështu.

Banorja: Dakord. /oranews