Tërmeti lë pas gjendje të vështirë në Bubq, banorët kanë nevojë për çadra – kritikojnë pushtetin për neglizhencë

Fshati Bubq i Fushë Krujës, është njëri nga fshatrat që është prekur nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë.

Lajme

01/12/2019 18:46

Banorët e fshatit Bubq të Fushë Krujës, që nga 26 nëntori kur tërmeti goditi Shqipërinë, janë duke qëndruar në qiell të hapur.

Janë mbi 230 shtëpi që janë shkatërruar.

Arben Rrushi, banor i Bubqit, ka treguar për lajmi.net, se shumë persona nuk kanë as çadra.

Ai ka fajësuar pushtetin që nuk i ka dalë në ndihmë këtyre banorëve, madje sipas tij, edhe ndihmat që janë shpërndarë për banorët, janë bërë në mënyra selektive, kështu duke marrë ndihma persona që nuk kanë pasur aq shumë nevojë.

Shtëpi e rrënuar nga tërmeti në fshatin Bubq. Foto: Lajmi.net

“Gjendja aktuale në Bubq është e vështirë. Ka mbi 230 shtëpi që kanë dalë jashtë përdorimit, shtëpi që janë të pabanueshme. Ka me dhjetëra shtëpi që janë shembur fare, por vëmendja, organizimi i pushtetit është shumë, shumë, shumë i dobët. Mos të themi që në drejtim të organizimit shumë të paaftë. Dhe kjo ka sjellë te banorët e fshatit irritimin dhe për më shumë me shpërndarjen e ndihmave janë shfaqur dhe mënyra selektive ku njerëzit që kishin më shumë nevojë për ndihma e përkrahur, janë ndihmuar edhe njerëz që ndoshta ishin në radhë më mbrapa këtyre. Kjo është pikë e e dobët e pushtetit në organizim”, është shprehur ai për lajmi.net.

Rrushi po ashtu thotë se janë falënderues ndaj Zotit që nuk ka pasur viktima në Bubq, por që edhe pasuria e humbur të dhemb në shpirt.

Lexo edhe: 

Fotografi e rrëfime – kjo është gjendja në Thumanë dhe Bubq sonte

“Kështu që shyqyr Zotit s’kemi pasur viktima, kjo është për t’u falënderuar edhe njerëzit ngushëllohen me viktimat ku kanë ndodhur me banorët ku kanë pasur viktima dhe shyqyr Zotit më mirë. Por gjithsesi, pasuria të dhemb shpirti dhe njerëzit e vuajnë këtë. Njerëzit kërkojnë një çadër, nuk kërkojnë shumë ndihma, por të paktën minimalisht një çadër ta kenë aty afër shtëpisë për të ruajtur materialet që kanë në shtëpi, e kanë si traditë këtë pjesë dhe e kanë si të vështirë për t’u shkëputur për t’u larguar nga banesat e tjera”, ka treguar Rrushi.

E sa i përket ndihmave, Rrushi thotë se ndihmat më së shumti kanë ardhur nga njerëzit e vullnetit të mirë, përfshirë këtu edhe siç tha ai “vëllezërit nga Kosova”.

“Ndihmat kanë ardhur vetëm nga njerëzit që e kanë shprehur dëshirën, biznesmen nga jashtë shtetit, miqtë tanë nga Kosova, vëllezërit tanë nga Kosova që janë gjithë qysh ditën e parë dhe këtu dua të gjej rastin edhe t’i falënderoj, por kjo është edhe, ndoshta edhe nuk është e nevojshme nga ana ime sepse e kemi parë edhe në medie se çfarë kanë bërë vëllezërit tanë nga Kosova. Kjo është për t’u falënderuar dhe mirënjohje. Zoti ua shpërbleftë ishalla vetëm me të mira”, u shpreh Rrushi për lajmi.net.

Ai ka thënë se pavarësisht se kanë kaluar më shumë se pesë ditë nga tërmeti, ka shtëpi që akoma nga askush nuk janë vizituar e as kontrolluar nga përgjegjësit.

Rrushti thotë se në rastet e tilla, siç ka ndodhur tërmeti i 26 nëntorit, pushteti duhet ta lë politikën në një anë.

“Pushteti duhet të ishte dhe të jetë më i vëmendshëm, më organizativ në raste të tilla që janë shumë katastrofike, nuk duhet të shikojnë anën politike, bindjet politike, në këtë kohë duhet të na bashkojë një forcë e dhimbjes, të bëhemi një, jemi të gjithë shqiptarë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Me shumë vonesa kanë ardhur për t’na vizituar nga pushteti, por me shumë vonesa, ka familje që askush nuk i ka vizituar dhe kjo është shumë e rëndë. Njerëzit kanë nevojë edhe sikur vetëm t’i shikosh, ngushëllosh, t’i thuash fjalë të mirë dhe i bëhet qejfi”, u shpreh Rrushi.

Theksojmë se tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri ka lënë të vdekur 51 persona dhe rreth 700 të tjerë të lënduar. Po ashtu edhe shumë ndërtesa janë shkatërruar tërësisht, ndërkaq qindra të tjera janë shpallur si të rrezikshme për banim. /Lajmi.net/