Terim kërkon pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA

Selektori i Turqisë, Fatih Terim thotë se do të kërkojë pranimin e Kosovës në FIFa dhe UEFA. Ndeshjen miqësore në Mitrovicë e përshkruan si duel vëllazëror.  

Sport

20/05/2014 18:40

Selektori i Turqisë, Fatih Terim ka thënë se do të kërkojë pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, në paraqitjen e tij në konferencë për shtyp, para ndeshjes miqësore në Mitrovicë.

Një ditë para ballafaqimit në stadiumin Adem Jashari në Mitrovicë, Terim dhe skuadra e tij kanë mbërritur në kryeqytet për t’i zhvilluar përgatitjet e fundit për ndeshjen e nesërme. Por, Terim dha një mesazh të fuqishëm.

“Turqia do ta ndihmojë fuqishëm Kosovën në çdo aspekt. Madje, do të kërkojë pranimin e saj në FIFA dhe UEFA. Ndeshja e nesërme është mesazhi i parë për këto shtëpi të futbollit”, deklaroi Terim.

Ish strategu i Galatasarayt u shpreh i lumtur që ndeshja e tij jubilare e 100-të në detyrë do të jetë pikërisht kundër Kosovës.

“Jam i lumtur që ndeshjen e 100-të do ta luaj me një vend mik si Kosova. Rezultati do të jetë në rend të dytë, do të jetë një takim vëllazëror”, theksoi ai.